Ishte mësuar që ta kalonte pranë familjes periudhën e ndeshjeve të kombëtareve, por jeta e Remko Pasveer ndryshoi plotësisht kur Louis Van Gaal e grumbulloi me Holandën.
Portieri 38-vjeçar i Ajax ishte befasia e listës, por në dy ndeshjet që luajti në Nations League, ai nuk pësoi asnjë gol, ndërsa “Portokallinjtë” arritën dy fitore.
Duket se karriera e tij po arrin kulmin në perëndim, pasi më parë ka luajtur me Twente, Heracles, PSV dhe Vitesse, ndërsa vetëm sezonin e kaluar u transferua tek Ajax. Në fillim, Pasveer ishte portieri i dytë, por e mbylli sezonin me 20 ndeshje të luajtura dhe si titullar i padiskutueshëm.
“Mendoj se Pasveer do të jetë pjesë e ekipit që do të marr në Botëror. Në dy ndeshjet që ka luajtur, nuk ka pësuar gol. Është e vërtetë që skuadra u tregua solide në mbrojtje, por ai nuk gaboi kur duhet të ndërhynte. Duhet të vazhdojë të punojë kështu”, tha Van Gaal pas fitores 1-0 të Holandës ndaj Belgjikës.
Edhe pse 38 vjeç, numri 1 i portës holandeze duket se është “hipotekuar” nga thinjoshi Remko Pasveer.