Çmimet e ushqimeve “rëndojnë” familjet shqiptare

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Shtrenjtimi i ushqimeve ka mbetur një nga faktorët kryesorë që po ndikon në koston e jetesës në vend, edhe gjatë muajit janar 2026.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit arriti në 2,3% në terma vjetorë, ndërsa grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 2,3%, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm mbi shportën bazë të familjeve.

Në krahasim me muajin dhjetor, çmimet e ushqimeve u rritën edhe në baza mujore, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen totale prej 0,6% të indeksit të çmimeve.

Sipas të dhënave, rritja mujore për këtë grup arriti në 1,3%, duke treguar se presioni mbi produktet bazë ushqimore mbetet i qëndrueshëm.

Megjithëse rritjet më të larta vjetore u regjistruan në sektorë të tjerë si argëtimi dhe shërbimet, ushqimet mbeten komponenti me ndikimin më të drejtpërdrejtë në buxhetet familjare, për shkak të peshës së lartë që zënë në konsumin e përditshëm.

Çmimet në restorante dhe akomodim, si dhe në mallra të lidhura me mirëmbajtjen e shtëpisë, u rritën gjithashtu, duke shtuar efektin zinxhir në koston e jetesës.

INSTAT ka bërë të ditur se nga muaji shkurt 2026 indeksi i çmimeve do të llogaritet sipas një klasifikimi të ri në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, me një shportë të përditësuar prej 410 produktesh, çka pritet të japë një pasqyrë më të detajuar të dinamikës së çmimeve në ekonomi.

Marrë nga Skyweb.al

Share This Article