Çmimi tavan për naftën ruse prej 60 dollarësh për fuçi, hyri në fuqi, këtë të hënë, teksa Perëndimi përpiqet të dobësojë aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë, duke mbrojtur njëkohësisht ekonominë globale nga një rritje e beftë e çmimeve të energjisë.
Çmimi tavan u vendos të premten nga vendet e G7-s, ato të BE-së dhe Australia, pasi Polonia, e cila e kundërshtonte masën, më në fund dha dritën jeshile. Sipas ujdisë, nafta ruse do të mund të eksportohet në vende të treta, vetëm nëse do të blihet 60 dollarë ose më pak për fuçi. Para nisjes së luftës ruse në Ukrainë, nafta ruse shitej nga 55 në 65 dollarë për fuçi dhe impakti i lëvizjes së fundit do të ndihet vetëm në rast se çmimet e naftës do të rriteshin papritur.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kritikoi Perëndimin për atë që e sheh lëvizje të pamjaftueshme për të frenuar luftën ruse: “Nuk mund ta quajmë serioz vendosjen e një limiti të tillë, që i shkon më së miri për shtat buxhetit të një shteti terrorist”.
Në një mesazh të postuar më vonë në Telegram, zyra e Zelenskyt kërkoi që çmimi tavan të ulej në 30 dollarë për fuçi, për të shkatërruar më shpejt ekonominë e armikut.
Të shtunën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia ende nuk e ka shqyrtuar masën e re, por me siguri që do ta refuzojë çmimin tavan. Në një postim në Twitter, përfaqësuesi i përhershëm i Moskës për organizatat ndërkombëtare në Vjenë, Mikhail Ulyanov, tha se Rusia duhet të ndalë furnizimin me naftë për vendet që do të pranojnë çmimin tavan.
Një burim anonim tha për agjencinë e lajmeve Reuters se një dekret po përgatitet për të ndaluar kompanitë dhe tregtarët rusë të ndërveprojnë me vendet dhe kompanitë që kanë pranuar çmimin tavan. Çmimi i naftës u rrit me 0,6%, pasi kompanitë e mëdha u dakordësuan të vijojnë me reduktimin e prodhimit dhe vendosjes së çmimit tavan.
Mëngjesin e së hënës, një fuçi naftë u shit mbi 86 dollarë.