Presidenti amerikan Joe Biden thuhet se ka pranuar në rrethet private se ditët në vijim do të jenë kritike për të shpëtuar ose jo kandidaturën e tij presidenciale, teksa i ka thënë dje një aleati se motivet që e nxisin të vazhdojë “nuk po funksionojnë”, shkruan rrjeti amerikan CNN.
“Ai e kupton momentin. Ka pamje të qartë,” tha personi i afërt, sipas CNN.
Presidenti e di se ngjarjet në ditët e javët në vijim do ta detyrojnë atë të pranojë se tentativa e rekuprimit të imazhit në debatin katastrofik të javës së shkuar, nuk funksionoi.
“Do të ishte një skenar i rënies së mbështetjes, i donacioneve që nuk po vijnë më, dhe e intervistave që shkojnë keq e më keq,” thotë më tej burimi misterioz i CNN.
Që prej debatit të dobët të së enjtes demokratët kanë shprehur shqetësim dhe disa kanë bërë thirrje për largimin e Biden nga partia.
‘The Neë York Times’ shkruante sot se Biden e di se nuk shpëton dot fushatën nëse nuk arrin të performojë mirë në eventet publike të ditëve në vijim, por Shtëpia e Bardhë e mohoi raportimin.
Në bisedën private të së martës Biden raportohej se “ndjehej në faj” dhe fajësonte veten dhe jo stafin elektoral për debatin.
Burimi anonim i CNN shtonte: “Ai ankohej se ‘kam bërë shumë politikë të jashtme’, duke iu referuar udhëtimeve në Francë e Itali, dhe se ndryshimi zonave kohore i ka shkaktuar lodhje, duke mos u rekuperuar në kohë për debatin”.
Biden e përmendi këtë dhe në një event për mbledhje fondesh të martën në Virginia, ku tha se 2 udhëtimet zyrtare ishin një ide e keqe, shkruan rrjeti CNN.