Është një lojë pulash me ekonominë botërore.
Stephen Collinson, CNN.
Shtetet e Bashkuara janë nisur drejt shkëmbit shkaku i nevojës që Kongresi ta shfuqizojë kufirin për atë se sa mund të marrë hua qeveria e ShBA-së. Nëse gjërat shkojnë keq, jehonat mund të ndihen shumë më larg brigjeve amerikane.
Pasi qeveria e ShBA-së shpenzon më shumë sesa merr përmes të hyrave, mospërmbushja e borxhit do ta detyronte që t’i ndërpriste pagesat. Kështu, do të ndaleshin rrogat për ushtrinë, pagesat qeveritare të pensionimit dhe përfitimet tjera financiare. E nëse ShBA-ja nuk mund ta paguajë interesin për borxhet e veta, shkalla e interesit që paguan për të huazuar të holla ndoshta do të rritet, që do të thotë se hipotekat, huat për vetura dhe faturat për karta krediti gjithashtu do të rriteshin.
Miliona amerikanë ndoshta do ta humbnin vendin e punës dhe do të godiste rimëkëmbja e ngadalshme nga pandemia. Pasi stabiliteti i borxhit të ShBA-së është themel i ekonomisë botërore, mospërmbushja e tij nga Uashingtoni do të mund ta fuste në krizë pjesën tjetër të botës.
Natyra e paimagjinueshme e këtyre pasojave është arsyeja pse politikanët rivalë të Uashingtonit, kryesisht pas një periudhe të lojës me zjarrin dhe përdredhjesh për koncesione, i mbyllin sytë dhe votojnë në pikë të natës për ta rritur kufirin e borxhit. Por kësaj radhe është ndryshe.
Republikanët po refuzojnë ta luajnë topin, sepse po thonë se Demokratët e Presidentit Joe Biden janë në një zbavitje shpenzimesh jashtë kontrolli, që do ta fryjnë borxhin kombëtar, i cili tash për tash është gati 29 trilionë dollarë. Pozicioni i tyre është thellësisht hipokrit. Sa për fillim, Demokratët votuan me Republikanët shumë herë për ta zgjeruar kufirin e borxhit gjatë pushtetit të presidentëve republikanë. Por më shumë se kaq, kufiri i borxhit duhet të rritet për të paguar për detyrimet që i shkaktuan vetë Republikanët duke votuar për ulje masive të taksave, të cilat i favorizuan të pasurit, gjatë pushtetit të Donald Trumpit. Është sikur vendi të ketë shkuar për zbavitje në Las Vegas për një javë dhe të refuzojë që ta paguajë faturën.
Por Republikanët duan që t’i pastrojnë duart e veta nga përgjegjësia dhe t’i akuzojnë Demokratët për falimentimin e shtetit, përderisa Bideni po kërkon 4 trilion dollarë për ta riformësuar ekonominë që t’i ndihmojë amerikanët më pak të pasur. Për shkakun se diçka shumë e madhe është në pyetje, ata e dinë se Demokratët nuk do të kenë zgjidhje në fund, pos vetë ta miratojnë rritjen e kufirit të borxhit – dhe ta paguajnë çmimin politik.
“Qartazi, s’kemi ku të shkojmë tjetërkund”
“Qeveritë që veprojnë të vetme nuk mund t’i tejkalojnë problemet me të cilat përballet bota jonë”, tha të hënën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ministri i Jashtëm i Kanadasë, Marc Garneau, duke e shprehur sinqeritetin e tij si ish-astronaut për ta shpërfaqur domethënien e fjalëve të veta. “Kam kuptuar…se ne të gjithë vijmë nga vendi i njëjtë dhe qartazi, nuk kemi se ku të shkojmë tjetërkund dhe që duhet të gjejmë një rrugë për të funksionuar me njëri-tjetrin. Gjithësia ofron një perspektivë unike për të parë përtej kufijve kombëtar të dikujt”, shtoi ai.