Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku zbardhi qëndrimin e tij në mbledhjen e kryesisë së PD-së ku u shkarkua ish-kryeministri Sali Berisha dhe 8 anëtarë të tjerë.
“Vija e kuqe ishte përdorimi i dhunës fizike. Ajo që ndodhi në 8 janar ishte kalimi i kësaj vije të kuqe. Dhuna për mua është një kufi ndarës me këdo. Ndaj mendoj se me këdo që nxiti apo përdori dhunë ndaj nesh, kolegëve të tyre nuk ka çfarë na mban më bashkë. Në këtë parti dhunuesit dhe te dhunuarit nuk mund të rrinë më bashkë”, tha ai.
Po ashtu, Çollaku u shpreh se “antiamerikanizmi që po strukturohet në krejt Ballkanin duke shfrytëzuar konflikte të brendeshme e situata të ngjashme, ka një inteligjencë nga mbrapa, një inteligjencë anti-NATO, anti-SHBA dhe anti BE”.
“Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që PD te kthehet në një bunker antiamerikan për çdo lloj arsyeje dhe me çdo lloj çmimi”, tha ai.
Ndërsa Endri Hasa tha se “kush erdhi për gjak, nuk ka vend më në PD”.
‘S’mund të negocioj uljen në tryezë me ata që erdhën në PD për të na vrarë. Nuk bëhet politikë me dhunën, në 8 janar mjetet politike mbaruan! Në 8 janar ishte vetëm një turmë banditësh që erdhi për të dhunuar. PD është parti perëndimore dhe ne duhet të distancohemi përfundimisht nga të gjithë ata që nuk e përfaqësojnë këtë”, tha ai.