Ballkani e nisi mbarë rrugëtimin në Conference League, ndërsa triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj ekipit nga Irlanda e Veriut, Larne.
Skuadra nga Suhareka diktoi ritmin gjatë gjithë takimit, duke dhuruar spektakël për tifozët në “Fadil Vokrri”. Në minutën e 26, Rrahmani zhbllokoi sfidën duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Në minutën e 33, pas një aksioni model, Kryeziu realizoi një supergol.
Ballkani vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe në fraksionin e dytë, me Gripshin që gjeti rrjetën në minutën e 54’, por ai gol u anulua për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 67, Rrahmani u tregua shumë altruist dhe i dhuroi një asist Gripshit, me këtë të fundit që realizoi golin e tretë për ekipin e tij.
Nëse Ballkani kalon në raundin tjetër të Conference League, kundërshtar do të ketë ekipin nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps.