Nga fitorja historike në grupet e turneve të UEFA-s, te takimi në Presidencë me Vjosa Osmanin dhe sërish në fushë. Ballkani luan mbrëmjen e sotme ndaj Sivasspor, pas fitores së javës së kaluar në Turqi.
Një tjetër sukses do ta vendoste ekipin nga Suhareka në pozitë komode për të synuar kalimin e grupeve.
“Me mbështetjen e gjithë tifozëve nga Kosova dhe tifozerisë suharekase do të bëhet më e lehtë. Mbushja e stadiumit rrit pritshmëritë që kanë tifozët. Përgjegjësia për ne tanimë është edhe më e madhe.
Jemi të gjitha skuadrat me nga katër pikë, kjo tregon se nuk ka ndeshje të lehta. Ne jemi gati, por ndeshjen e nesërme duhet të bëjmë më shumë sesa në Turqi për të marrë më të mirën”, tha trajneri Ilir Daja.
7000 biletat në stadiumin “Fadil Vokrri” u shitën të gjitha në harkun e pak orëve. Ballkani kryeson grupin me 4 pikë, aq sa Slavia, Sivasspor dhe CFR Cluj. Ndeshja nis prej orës 21:00.