Me shumë ndryshime në skuadrën që mbylli edicionin e kaluar, por me ambicie për të ecur sa më gjatë në arenën ndërkombëtare. Tirana është gati për sfidën me gjeorgjianët e Dinamo Batumi.
Trajneri Orges Shehi u shpreh: “Është një kundërshtar që meriton respekt. Kemi shumë ndryshime në skuadër, mund të jetë më e re se ajo që patëm sezonin e kaluar. Më duket e largët dita kur kam luajtur vetë, në këtë vit kërkojmë të bëjmë maksimumin, duhet të vlerësojmë detajet e vogla, kemi lojtarë që kanë prekur nivele të larta ashtu si unë. Ne po dalim në fushë që të japim maksimumin tonë, e rëndësishme është çfarë do të prodhojë fusha e lojës”.
Filip Najdovski është mes elementëve të paktë që kanë mbetur pjesë e ekipit. Ai ka debutuar me Tiranën përballë një skuadre gjeorgjiane dhe fati e donte që si kapiten të gjente sërish përballë një rival nga ai vend.
“Dëshiroj të përsëritej ndeshja e parë që kam luajtur si zyrtare. Dinamo Batumi ka një skuadër cilësore dhe një nga më të fortat në Gjeorgji. Ne do të kalojmë në raundin e dytë të Conference League. Do na shihni në fushë si do të kualifikohemi. Ata kanë avantazhin që kanë nisur sezonin, por Tirana ka lojtarë më cilësorë se gjeorgjianët. Tani jemi të përqendruar te ndeshjet ndërkombëtare, kemi kohë të mendojmë për kampionatin, por sigurisht që do ta kthejmë titullin në shtëpi”, tha kapiteni i bardhebluve.
Abazaj dhe Lushkja janë rikuperuar plotësisht, ndërsa në ditët e fundit probleme me virozat ka patur sulmuesi Kaina.
Ndeshja Tirana-Dinamo Batumi luhet këtë të enjte, prej orës 20:00, në Arenën Kombëtare.