Ish-ylli i UFC-së, Conor McGregor ka njoftuar se është tërhequr nga gara për presidencën e Irlandës, vetëm pak javë pasi kishte shpallur synimin për të kandiduar në zgjedhjet e tetorit.
McGregor ishte planifikuar të merrte pjesë të hënën në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Dublinit dhe Këshillit të Qarkut Kildare, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar mbështetjen e nevojshme për t’u futur në fletën e votimit. Për t’u kualifikuar si kandidat presidencial, nevojiten firmat e 20 deputetëve të parlamentit irlandez ose mbështetja e katër autoriteteve lokale, përveçse kandidati duhet të jetë mbi 35 vjeç dhe qytetar irlandez.
Megjithatë, në një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale, McGregor konfirmoi tërheqjen, duke theksuar se vendimi ishte i vështirë, por i duhuri për momentin.
“Pas reflektimit dhe konsultimeve me familjen time, kam vendosur të tërhiqem nga kjo garë presidenciale. Ky nuk është fundi, por fillimi i udhëtimit tim politik”.
“Nuk do të garoj këtë herë, por do të vazhdoj të shërbej popullin tim, të mbroj interesat e Irlandës në skenën ndërkombëtare dhe të punoj për transparencë dhe përgjegjësi në jetën publike”.
Në fjalën e tij, ish-kampioni i UFC-së tha se fushata e shkurtër kishte hapur një “debat të rëndësishëm” mbi demokracinë në Irlandë dhe mënyrën si përcaktohen kandidatët presidencialë. Ai akuzoi partitë kryesore dhe mediat për një “gjueti shtrigash politike”, por theksoi se tashmë është krijuar një lëvizje e re qytetare që sipas tij “nuk mund të ndalet më”.
McGregor, i cili gjatë ditëve të fundit kishte zhvilluar takime edhe në ShBA, premtoi se do të rikthehet në skenën politike në të ardhmen:
“Ju siguroj se kjo nuk do të jetë zgjedhja ime e fundit. Do të më shihni përsëri duke kërkuar votën tuaj, duke luftuar për të drejtat tuaja dhe duke përfaqësuar interesat e kombit tonë”.