Hungaria bëhet vendi i parë i Bashkimit Europian që merr vaksinën ruse Sputnik V. Dozat e para do të mbërrijnë brenda dy javësh, duke i dhënë fitore e parë ndërkombëtare Moskës në tregun europain. Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe grupi për vaksinat GAVI, njoftuan mbledhjen e mbi 2 miliardë dollarëve, për të blerë dhe shpërndarë vaksinën në vendet e varfra.
Hungaria njoftoi se do të marrë brenda një jave e gjysmë dozat e parë të vaksinës kundër Covid-19 të prodhuar nga Rusia, duke u bërë kështu vendi i parë i Bashkimit Europian që planifikon të prokurojë vaksinën Sputnik V.
Duke folur nga karantina nëpërmjet videokonferencës pasi është infektuar nga Covid-19, ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë Peter Szijjarto, tha qeveria kishte përparuar në negociata me Moskën për të blerë një sasi më të madhe dozash. “Ky është një lajm i mirë për Hungarinë,” tha ministri.
Blerja nga Budapesti dhe hyrja e saj në tregun e përbashkët europian shënon një fitore të parë dhe simbolike për vaksinën ruse Sputnik V, e cila është kritikuar nga ekspertët për shkak të miratimit të shpejtë dhe informacionit të kufizuar publik.