Ndërroi jetë sot në moshën 70-vjeçare, ish-deputeti i Partisë Demokratike Bedri Çollaku, i shtruar prej disa javësh në spital si pasojë e infektimit me Covid-19.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mungonte edhe mesazhi i ish kryeministrit dhe ish kryetarit të PD, Sali Berisha.
Teksa shpreh konsideratën e tij për figurën e Çollakut, Berisha u shpreh ngushëllimet e tij familjes, të afërmve dhe miqve të ish deputetit.
Mesazhi i plotë i ish kryeministrit:
“Nderim per ish deputetin Bedri Çollaku!
Te dashur miq, Bedri Çollaku, njeri nga personalitetet me te shquara dhe menaxheret me te afte dhe me serioz te sistemit bankar te vendit, ish deputeti i Partise Demokratike, qytetari i virtytshem, prindi dhe bashkeshorti shembullor Bedri Çollaku mbylli syte pergjithmone.
Me kete rast, duke shprehur mirenjohjen time te thelle per kontributin e tij te çmuar ne sistemin dhe tregjet financiare bankare, ne Partine Demokratike dhe Parlamentin e vendit, shpreh ngushellimet e mia me te ndjera familjes se nderuar, miqve dhe te afermve te Bedri Çollakut dhe lutem se bashku me ta qe shpirti i mire i njeriut tyre te dashur te gjeje paqen e merituar. Amin! “
Bedri Çollaku lindi në Tiranë, në vitin 1950.
Ai e nisi karrierën e tij në vitin 1973 pranë Bankës së Shtetit Shqiptar.
Ishte diplomuar në Shkenca Ekonomike nga Universiteti i Tiranës si dhe ka përfunduar programin e Akademisë Harvard të Pireus Bank.
Në vitin 1996 u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Demokratike në Qarkun Tiranës.