Pavarësisht se ka përplasje mes palëve për votimin e draftit të reformës zgjedhore, ku opozita parlamentare duket e vendosur për mosvotimin e saj, Presidenti Ilir Meta vendosi dhe njëherë theksin tek rëndësia e kësaj reforme.
Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se miratimi i kësaj zgjedhores është hapi më i rëndësishëm për çeljen e negociatave e cila do t’i hapte rrugë edhe plotësimit të kushteve të tjera.
“Dua të theksoj edhe njëherë tjetër rëndësinë të ruajtjes së prioritetit të plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave ku padyshim që miratimi i reformës zgjedhore është kushti i parë formal e më pas të vijohet me kushte të tjera që nuk janë vetëm formale por janë përmbajtësore që kanë të bëjnë dhe me cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri”, tha Meta.
Por vetëm pak më herët gjatë ditës së sotme (6 korrik), deputeti Myslym Murrizi në një deklaratë më mediat dukej më se i vendosur në qëndrimin e tij për mosvotimin e reformës pa u diskutuar më parë kërkesat e opozitës parlamentare.
Ai thotë se deputetët e opozitës parlamentare si dhe deputetë të tjerë të pavarur nuk do të jenë thjeshtë fasadë në Parlament dhe se në ditët në vijim do të marrin një vendim konkret ku do të përmbledhin qëndrimin e tyre.
Presidenti Meta deklaroi se është e domosdoshme një komunikim me vendet e rajonit, BE-së dhe OBSH-në, për një strategji të re e cila do mundësojë daljen sa më të sigurt dhe të shpejtë nga pandemia.
”Të mos humbasim përqëndrimin në përballimin më efikas të pandemisë, pasi shtimi i rasteve të qytetarëve të prekur nga me Covid-19 por për fat të keq edhe të numri i viktimave, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm nga të gjithë. Nga institucionet shtetërore, nga qeveria, nga opozita, nga sipërmarrjet dhe nga çdo qytetar. Është e domosdoshme një strategji e re, konkrete dhe afatgjatë, me protokolle të mirëpërcaktuara për të përballuar dhe për të vënë nën kontroll përhapjen në rritje të kësaj pandamie, e cila ka rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Gjithashtu është e domosdoshme një komunikim edhe më intensiv, edhe më efikas, me vendet fqinje, me ato të rajonit, me vendet e BE-së dhe me OBSH-në, për të harmonizuar veprimet dhe për të shkëmbyer informacionet në kohë reale, me qëllim që kjo strategji e re, të na mundësojë daljen sa më të sigurt dhe sa më të shpejt nga kjo situatë”, tha Presidenti Meta.