Pacienti kishte qenë relativisht mirë për 10 ditët e para që ishte në shtrat me Covid-19.
Vetëm 38 vjeç, ai nuk i përshtatej përshkrimit të njerëzve në rrezik të lartë të komplikimeve nga koronavirusi i ri.
“Ai kishte simptoma të buta pulmonare me të cilat kishte ndenjur vetëm në shtëpi,” tha Dr. Sean Wengerter, një kirurg vaskular në Pomona, Nju Jork. “Ai ishte diagnostikuar në një klinikë urgjente dhe po shkonte mirë në shtëpi. Ai thjesht kishte një kollë të vogël.”
Derisa filloi një nga efektet befasuese të Covid-19.
“Atëherë ai u zgjua me të dyja këmbët e tij të mpira dhe të ftohta dhe aq i dobët sa nuk mund të ecte,” tha Wengerter, shef i departamentit të kirurgjisë vaskulare në Spitalin Samaritan të Qendrës Mjekësore Westchester.
Koronavirusi mund të shkaktojë mpiksje të gjakut
Ky njeri relativisht i ri kishte një okluzion të aortës – një mpiksje të madhe gjaku në arteriet kryesore të trupit, pikërisht sipër, aty, ku ndahet në dy pjesë për të qarkulluar në secilën këmbë. Gjaku nuk po hynte në arteriet dhe këmbët i ishin enjtur.
Është një zhvillim jashtëzakonisht i rrezikshëm që mund të vrasë midis 20% dhe 50% të pacientëve, tha Wengerter. “Kjo nuk ndodh zakonisht te një 38-vjeçar,” i tha ai CNN.
Diagnostifikimi i shpejtë dhe një procedurë kirurgjikale për të bërë hapjen e arterieve dhe heqjen e mpiksjes duke përdorur një kateter shpëtuan pacientin. “Ne kishim dy kirurgë që punonin njëkohësisht mbi të,” tha Wengerter.
Mjekët që trajtojnë pacientët me koronavirus po shohin një sërë sindromash të çuditshme dhe të frikshme, duke përfshirë mpiksjen e gjakut të të gjitha madhësive në të gjithë trupin, mosfunksionimin e veshkave, inflamacionin e zemrës dhe komplikimet imune.
“Një gjë që është edhe kurioze, ashtu edhe evolucionare dhe zhgënjyese është se kjo sëmundje po manifestohet në mënyra shumë të ndryshme,” tha Dr. Scott Brakenridge, profesor i asociuar në ndërhyrjet kirurgjikale akute në Universitetin Mjekësor të Floridas.
Mund të shkaktojë gjithashtu dëmtim të organeve
“Në disa raste është duke shfaqur efekte të rënda në aftësinë e pacientit për të marrë frymë, dhe në të tjera duket se shoqërohet me zhvillimin e dëmtimit të organeve.
Ndërsa, koronavirusi i ri është caktuar si një virus i frymëmarrjes, është e qartë se po prek disa njerëz në të gjithë trupin e tyre. Simptomat më të dukshme të infeksionit janë simptomat klasike të frymëmarrjes: ethe, pneumoni dhe sindromi i shqetësimit të frymëmarrjes akute.
Por, virusi gjithashtu duket se sulmon drejtpërdrejt disa organe. Një nga më shqetësuesit është sulmi i tij ndaj enëve të gjakut, i cili nga ana tjetër shkakton mpiksje të panatyrshme të gjakut.
“Duket sikur Covid, virusi, po krijon një përgjigje inflamatore lokale që po çon në disa nga këto ngjarje trombotike,” tha Wengerter. “Kjo po ndodh për shkak të veprimit të drejtpërdrejtë të virusit në vetë arteriet”.
Ekipet e tjera të mjekëve kanë raportuar goditje të pazakonta tek pacientët më të rinj, si dhe emboli pulmonare, emri mjekësor për mpiksjen e gjakut në mushkëri.
Patologët po gjejnë një mpiksje të vogël gjaku, në venat më të vogla, tha gjithashtu Dr. Oren Friedman, i cili është kujdesur për pacientët Covid-19 në njësinë e kujdesit intensiv në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Angeles.
“Nuk ka asnjë debat – virusi duket se ndikon në trombozë dhe duket se ndikon drejtpërdrejt në enët e gjakut”, tha Friedman për CNN. Dhe kjo do të thotë se prek të gjithë trupin.
“Natyrisht, çdo organ i vetëm në trupin tuaj ushqehet nga enët e gjakut, kështu që nëse virusi prek enët e gjakut, atëherë mund të keni dëme të organeve”, tha ai.
“Është një pamje shumë konfuze. Do të marrë kohë për të kuptuar,” tha Brakenridge. (CNN)