Presidenti amerikan, Donald Trump ndaloi hyrjen në SHBA për udhëtarët që vijnë nga Brazili, i kthyer në vendin e dytë më të prekur nga pandemia e koronavirusit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
“Shtetasit jo amerikan që kanë shkuar në Brazil gjatë 14 ditëve para kërkesës së tyre për të hyrë në SHBA nuk do të pranohen”, thuhet në një komunikatë nga Kayleigh McEnany, zëdhënëse e presidencës amerikane. Tregtia nuk ndikohet nga këto masa.
“Vendimi do të mundësojë që të huajt që kanë shkuar në Brazil të mos bëhen burim i mëtejshëm kontaminimi në vendin tonë”, theksoi ajo.
Me afro 350 000 raste të konfirmuara, Brazili është tani vendi i dytë më i prekur në botë pas SHBA-së. Ai ka regjistruar zyrtarisht më shumë se 22 000 të vdekur.