Cristiano Ronaldo duhet të jetë blerja e parë e përbindshme e projektit të ri të Newcastle, me ardhjen e pronarëve sauditë. Kjo është ajo që bën të ditur revista sportive spanjolle Don Balon në faqen e saj zyrtare, duke nënvizuar se portugezi ka një akord verbal me klubin, në vecanti me fondin sovran të Arabisë Saudite që është tashmë gati të marrë klubin britanik.
Bëhet fjalë për një kontratë dy vjecare, por për CR7 do të jetë mundësia të largohet edhe pas një viti për ta mbyllur më pas karrierën në Shtetet e Bashkuara në MLS. Sulmuesi portugez do të jetë pothuaj 37 vjecar në përfundim të kontratës me bardhezinjtë dhe mund ta bëjë kthimin në Premier League, si trampolinë për të mbyllur karrierën përtej oqeanit.
CR7 zgjodhi të firmosë për Juventus, në përfundim të kontratës me Real Madrid, për të patur mundësinë të luante ende në nivele të larta dhe të fitonte Champions League e pse jo edhe Topin e Artë. Ky sezon nuk ka përfunduar, e portugezi ka edhe një tjetër për të luajtur në Torino, por fiton ose jo Champions gjërat pak mund të ndryshojnë në planet e 5 herë Topit të Artë për të ardhmen…