Situatë e papritur në Arabinë Saudite, ku Cristiano Ronaldo raportohet se ka vendosur të mungojë në ndeshjen e radhës së Al Nassr kundër Al-Riyadh, të planifikuar për këtë të hënë, në kuadër të javës së 20-të të kampionatit.
Sipas mediave portugeze, arsyeja nuk lidhet me gjendjen fizike të yllit portugez, por me pakënaqësinë e thellë ndaj menaxhimit të klubit.
Burime pranë Al Nassr bëjnë me dije se Ronaldo është i irrituar me politikën e merkatos të ndjekur nga PIF, Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite, i cili menaxhon edhe klubin.
Ai e konsideron të padrejtë trajtimin krahasuar me rivalët e Al Hilal, të cilët kanë përfituar investime më të mëdha.
Pakënaqësia e Ronaldos lidhet kryesisht me mungesën e përforcimeve në merkaton e dimrit, ku Al Nassr ka afruar vetëm mesfushorin 21-vjeçar irakian, Haydeer Abdulkareem.
Kjo situatë ka tensionuar raportet dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e portugezit në klub.

