Policia e Tiranës ka publikuar pamjet e incidentit me një person i cili në përpjekje për t’i ikur forcave blu përplasi 9 makina dhe një motor ku ndodheshin një efektiv policie jashtë shërbimit dhe bashkëshortja e tij.
Në pranga ra Imer Krashi, 31 vjeç, i cili kishte edhe dy emra të tjerë, Imer Masha dhe Imer Uka.

Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll. Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të.
Bazuar në informacionin e marrë se ky shtetas mund të kishte armë me vete, në refuzimin për kontroll nga drejtuesi i automjetit dhe largimin me shpejtësi në drejtim të TEG-ut, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, i cili, për shkak edhe të trafikut të rënduar, ka përplasur 9 automjete dhe 1 motomjet, në të cilin qarkullonin shtetasit E. R., 52 vjeç (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, shtetasja O. R., 46 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, pas një ndjekjeje intensive, bënë të mundur bllokimin e automjetit dhe të drejtuesit. Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë.
Krashi, me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme procedurale.