Çmimi i Madh i Austrisë para dy javëve ishte i karakterizuar nga shumë penalizime për pilotët teksa këta të fundit e patën të vështirë të mbanin makinën totalisht në pistë përgjatë kthesës numër 10 në pistën e Red Bull Ring. Një nga ata që e pësoi më keq ishte Sergio Perez i cili pasi nuk respektoi limitet e pistës në provat zyrtare zbriti nga vendi i katërt në vend të 12-të duke u penalizuar ndjeshëm për garën.
Së fundmi, në lidhje me limitet e pistës ka reaguar Kampioni i Botës në fuqi, Max Verstappen. Holandezi thekson se ndonjëherë është e pamundur të ruash trajektoren dhe ironizoi përgjegjësit e garës duke u shprehur se nëse nuk duan që makinat të shkelin mbi bordurë, atëherë le të vendosin aty një mur.
“Ajo çfarë ndodhi në Austri ishte një tallje e hapur, kaloje 1 milimetër jashtë limitit të pistës dhe menjëherë penalizoheshe. Atëherë le të vendosin aty një mur, kjo nuk është diçka e mirë për këtë sport. Nga jashtë është e lehtë të thuash se mund të qëndrosh brenda vijave të bardha, por nuk është ashtu.
Kur je me shpejtësi në një kthesë të cilat ndonjëherë nuk kanë edhe një shikueshmëri të plotë, atëherë është e lehtë të shkelësh në vija pasi mund të ndodhë që edhe gomat të jenë konsumuar e të mos përgjigjen në mënyrën e duhur. Pretendohet se ne fitojmë kohë duke kaluar në vijat e bardha, a është e vërtetë kjo? Ndonjëherë po, ndonjëherë jo”, u shpreh Verstappen.
Ndërkohë, këtë fundjavë, Formula 1 rikthehet me Çmimin e Madh të Francës në pistën e Paul Ricard teksa pas Verstappen udhëheq aktualisht klasifikimin e pilotëve me 38 pikë avantazh ndaj pilotit të Ferrarit, Charles Leclerc.