Dani Alves ishte i pari që mori përgjegjësinë për të gjuajtur penalltinë kundër Meksikës në gjysmëfinalen e turneut olimpik të futbollit, të martën. Ai e mposhti një veteran tjetër, portierin meksikan Guillermo Ochoa, që nuk arriti ta ndalte gjuajtjen e tij. Alves dha tonin dhe penalltia e tij nuk ngriti vetëm ekipin e tij; dukej se i shfryu meksikanët pasi Eduardo Aguirre humbi gjuajtjen e parë.
Më pas ishte Gabriel Martinelli i Brazilit, dhe sulmuesi 20-vjeçar i Arsenalit ndoqi udhën e kapitenit të tij duke goditur penalltinë e tij në anën e majtë të Ochoas. Kur Johan Vaszquez i Meksikës qëlloi shtyllën dhe Bruno Guimaraes shënoi penalltinë e tij, talenti adoleshent i Borussia Dortmundit, Reinier, pati një mundësi të artë për ta dërguar Brazilin në finalen olimpike. Reinier, 19 vjeç, ishte një foshnjë në krah kur Alves fitoi titullin e tij të parë profesional në Bahia – Copa do Nordeste 2002 – por kjo nuk kishte rëndësi pasi ai shënoi për t’ia dhënë fitoren Brazilit 4:1 dhe fillimin e festimeve të zhurmshme braziliane. Dani Alves ishte në gjunjë dhe Brazili ishte në finalen olimpike.
“Tani ne do të përqendrohemi në kapitullin kryesor të këtij misioni dhe të historisë”, shkroi Alves.
Sukseset e Alvesit
Brazili ishte kampion olimpik në fuqi, kur Neymar dhe fati u ndeshën me atë penallti vendimtare në Rio pesë vjet më parë. Tani Dani Alves mund ta plotësojë CV -në e tij të shkëlqyeshme me medaljen e artë olimpike. Një fitues i ligës, i kupës dhe i Ligës së Kampionëve me Bahian, Barcelonan, Juventusin, Paris Saint-Germainin dhe skuadrat e tjera, Alves është lojtari më i dekoruar në historinë e futbollit, me një numër të pabesueshëm të trofeve, gjithsej 42. Ai mund ta sigurojë trofeun e tij të 43-të, të shtunën në stadiumin “Yokohama” ku do të luhet finalja e turnet olimpik ndërmjet Brazilit e Spanjës prej orës 13:30. Në fakt, kjo është hera e parë për Alvesin që merr pjesë në Lojërat Olimpike. Përkundër të gjitha atyre vlerësimeve, Alves e ka ruajtur kënaqësinë e tij rinore për lojën me pasionin dhe dëshirën e tij të pakufizuar për gati dy dekada. Djali që u rrit duke mjelë lopë në fermën familjare në Bahia nuk e ka humbur kurrë nga sytë se sa larg ka arritur, dhe i është kthyer shumë lojës që i ka dhënë shumë.
“Ata që më njohin e dinë që kam një shpirt rinor, dhe në çdo ndeshje ndihem sikur të jetë hera ime e parë. Të gjithë e dinë këtë dhe e kanë parasysh dëshirën time të madhe”, ka thënë Alves. “Edhe pse kam shijuar disa momente të mëdha në karrierën time, duke qenë se kjo është hera ime e parë në Olimpiadë, ndiej disa flutura në barkun tim”.
36-vjeçar ka bërë karrierë në gjashtë klube. E nisi me Bahian si profesionist në vitin 2001, për të vazhduar te Sevilla, Barcelona, Juventusi e Paris Saint-Germaini. Ndërsa prej vitit 2019 është kthyer në Brazil dhe po luan te skuadra e Sao Paulos. Ai prej vitit 2006 është pjesë e Brazilit, duke regjistruar 118 paraqitje dhe duke realizuar tetë gola.
Një kloun dhe kapiten
Si një profesionist me përvojë, Alves e di mirë se si të sillet me këto nerva dhe si t’i ndihmojë të tjerët të ndiejnë gjithashtu emocionet e mira. Kapiteni i Brazilit e kalon kohën midis shakave dhe topit. Ai bën shaka dhe kërcen jashtë fushës, por në fushë, Alves gjithmonë jep siguri në krahun e djathtë me paraqitjet e tij. Këtë Alves e ka dëshmuar edhe në Lojërat Olimpike. Ai është futbollisti që ka më së shumti topa të fituar (16), pasime vendimtare (14), driblime të suksesshme (7) dhe harkime të sakta (8). Përpara se Brazili të arrinte në Tokio, Alves i ka disponuar bashkëlojtarët e rinj për t’ua larguar stresin. Ai ishte bërë viral me veprimet e tij në aeroplan, duke u veshur si stjuardesë dhe duke marrë përsipër njoftimet para fluturimit. Por kur erdhi koha për t’u treguar i pjekur dhe për të mbajtur nervat kundër Meksikës, ana serioze e Alvesit tregoi, se ai është ndoshta futbollisti i vetëm në botë që mund të jetë edhe kloun edhe kapiten.
“Unë jam Dani Alvesi që e bën Dani Alvesin”, tha Alves.
Finalja me Spanjën
Tani Alvesit i duhet ta udhëheqë Brazilin në një finale olimpike kundër një skuadre të fortë të Spanjës në një përpjekje për të mbrojtur medaljen e artë të fituar në Rio në vitin 2016. Si Brazili, ashtu edhe Spanja nuk dinë për humbje në turneun olimpik. Për dallim prej Brazilit që e siguroi finalen nëpërmjet penalltive, Spanjës iu nevojitën vazhdimet për ta mposhtur Japoninë në gjysmëfinale. Ishte goli i mesfushorit Marco Asensio në minutën e 115-të që ia dha fitoren Spanjës duke parandaluar nevojën për penallti. Të dy ekipet, mburren me yjet globale që kanë ndriçuar Olimpiadën e Tokios, si Richarlison e Reiner te Brazili, dhe Asensio e Pedri te Spanja. Medalja e artë në Tokio mund ta ndihmojë Brazilin për ta kompensuar humbjen në finalen e Copa Americas muajin e shkuar nga rivali i madh, Argjentina. Ndërkohë, Spanja është në finalen e saj të parë olimpike të futbollit që nga LO “Barcelona 1992”, kur Pep Guardiola dhe Luis Enrique ndihmuan që “La Roja” të fitonte lavdinë në vendlindje. Çfarëdo që të ndodhë në Yokohama të shtunën, Dani Alves do të jetë në qendër të çdo gjëje.