Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka deklaruar se ndërtimi i një fabrike ukrainase në Danimarkë, e cila do të prodhojë karburant për raketat me rreze të gjatë Flamingo, do të çojë në një “përshkallëzim” të luftës në Ukrainë.
Zakharova tha se vendimi i qeverisë daneze për të lejuar një fabrikë ushtarake ukrainase në territorin e saj rrit rrezikun e “përshkallëzimit” të konfliktit në Ukrainë dhe do të çojë në më shumë “gjakderdhje”.
Ajo e quajti veprimin e qeverisë daneze një “aventurë”, duke pretenduar se kjo konfirmon qëndrimin armiqësor të Kopenhagenit ndaj Rusisë.
Në fillim të shtatorit 2025, u bë e ditur se kompania ukrainase Fire Point do të nisë së shpejti prodhimin e karburantit në Danimarkë për raketat lundruese me rreze të gjatë Flamingo, duke zhvendosur prodhimin e saj jashtë Ukrainës.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, shpalli planin.
Sipas raportimeve, fabrika pritet të vendoset pranë bazës ajrore Skrydstrup në Danimarkën jugore, ku ndodhen avionët luftarakë danezë F-16.
Zhvendosja e fabrikës së Fire Point nga Ukraina në Danimarkë do ta mbrojë atë nga sulmet ajrore të ushtrisë ruse.
Ukraina zhvilloi raketën lundruese Flamingo në vetëm nëntë muaj. Në gusht, Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se raketa kaloi me sukses testet.
Sipas tij, Flamingo mund të godasë objektiva tokësorë në distanca deri në 3,000 km. Informacione jozyrtare thonë se shpejtësia maksimale e saj arrin 950 km/h dhe pesha e saj është 1 ton.
Aktualisht, kjo është raketa me rrezen më të gjatë të Ukrainës. Zelensky tha se prodhimi serik i Flamingos do të fillojë në fund të vitit 2025 ose në fillim të 2026-ës.