Mungesa e Christian Eriksenit e bën edhe më të vështirë që të harrohet ajo që i ndodhi mesfushorit.
Selektori i Danimarkës, Kasper Hjulmand, ka treguar të shtunën se mendja e tij largohej nga ndeshja edhe pse ekipi danez po luante në çerekfinale të Kampionatit Evropian.
“Kam menduar për të gjatë ndeshjes dhe pas ndeshjes”, ka thënë Hjulmand pas fitores 2:1 ndaj Çekisë në çerekfinalen e luajtur në Baku. “Vazhdoj të mendoj se sa e mahnitshme do të ishte ta shihnim atë duke luajtur (në ndeshjen e ardhshme). Ai është ende pjesë e rëndësishme e ekipit dhe është pjesë e rëndësishme e rrugës sonë për në ‘Wembley’”, ka vazhduar Hjulmand.
Erikseni i mbijetoi një arresti kardiak gjatë ndeshjes hapëse të Danimarkës në Euro 2020, tri javë më parë. Emocionet që pasuan pas rastit të rëndë të yllit danez e kanë shtyrë para Danimarkën në Euro 2020. Dhe danezët tashmë janë në gjysmëfinale.
Ndeshjen gjysmëfinale Danimarka e luan ndaj Anglisë të mërkurën në Londër.
“Ai gjithnjë ka qenë pjesë e rëndësishme e ekipit dhe vazhdon të jetë ashtu”, ka thënë mesfushori i Danimarkës, Thomas Delaney. “Natyrisht se ne e mbajmë atë në zemrat tona. Ai do të duhej të ishte këtu. Është ende diçka me të cilën po luftojmë, por ta bëjmë atë krenar është diçka që më bën të lumtur”.
Erikseni kolapsoi në fushë në fund të pjesës së parë të ndeshjes ndaj Finlandës, më 12 qershor. Bashkëlojtarët e tij formuan një mur rreth lojtarit, derisa ekipi mjekësor e mbajti në jetë përmes defibrilatorit. Ai kaloi një javë në spital para se të shkonte në shtëpi për ta vazhduar rikuperimin.
Ndeshja e ardhshme e Danimarkës është në një stadium që Erikseni e njeh shumë mirë. Shtëpia e Përfaqësueses së Anglisë ka shërbyer edhe si shtëpi e përkohshme e Tottenhamit. Erikseni i ka kaluar shtatë vjet te klubi nga Londra.
Në tetor, Eriksen shënoi golin e vetëm të Danimarkës në fitoren 1:0 ndaj Anglisë në Ligën e Kombeve.
“Ai ekip nuk është diçka që e kemi ndërtuar brenda natës. Ai ka qenë pjesë e ekipit për një kohë shumë të gjatë. Unë mendoj për të gjatë gjithë kohës, dëshiroj që ai të jetë këtu. Unë i bëj shumë të fala dhe ai është pjesë e madhe e këtij rezultati”, ka vazhduar selektori Hjulmand.
Danimarka humbi nga Finlanda në ndeshjen hapëse të Euro 2020, e më pas humbi tjetër ndeshje nga Belgjika. Por, danezët avancuan duke e mposhtur Rusinë në ndeshjen e fundit në grup. U ndihmuan nga fakti që Belgjika i fitoi të gjitha ndeshjet në grup.
Eriksen, që është pjesë e Interit, ishte liruar nga spitali para ndeshjes ndaj Rusisë dhe i vizitoi bashkëlojtarët menjëherë. Prej atëherë, ylli danez ka dërguar mesazhe të përkrahjes në rrjete sociale dhe ka qenë privatisht në kontakt me lojtarët.
Më shumë mesazhe sigurisht do të ketë këto ditë.