Numri i rasteve të koronavirusit të regjistruar në Danimarkë që nga fillimi i pandemisë ka kaluar shifrën 1 milion, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën.
Instituti Kombëtar i Shëndetit- SSI raportoi 24,343 infeksione të reja brenda 24 orëve. Kjo shifër përfshin 22,729 persona të prekur për herë të parë dhe 1,614 infeksione të përsëritura. 1,000,009 persona janë infektuar nga virusi në Danimarkë.
Gjithsej 3,433 persona kanë vdekur në vendin me pothuajse 6 milionë banorë pasi u infektuan nga virusi.
Pavarësisht numrit jashtëzakonisht të lartë të infeksioneve të reja në vend, danezët janë më pak të shqetësuar për situatën e Covid-19 sesa ishin disa javë më parë.
Ky ishte përfundimi nga rezultatet e fundit të të ashtuquajturit ‘Projekti Shpresa’, i cili monitoron sjelljen e popullsisë daneze gjatë pandemisë.
Arsyeja kryesore për këtë është se sistemi shëndetësor nuk është aq i mbingarkuar sa mendohej fillimisht. Numri i pacientëve me Covid-19 në spitale ka qenë relativisht konstant midis 700 dhe 800 për disa kohë.
Aktualisht në Danimarkë janë vendosur disa masa për të kontrolluar virusin. Kinematë, teatrot dhe institucionet e tjera kulturore janë mbyllur për momentin.
Pritet që rregullat të lehtësohen në ditët në vijim. Qeveria daneze planifikon të mbajë një konferencë shtypi mbi këtë çështje sot në mbrëmje.




