Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi është shprehur se koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk është alternativë për shqiptarët.
I ftuar në Euronews Albania, ai tha se për këtë arsye zgjodhën që të futen në zgjedhje me një tjetër koalicion, ndërsa shtoi se në disa zona kanë hyrë me lista të përbashkëta me kandidatët për këshilltarë bashkiakë dhe në disa zona me një listë të vetme.
Ai u ndal sërish tek koalicioni i Berishës me Metën duke thënë se të dy nuk kanë reflektuar për gabimet e mëparshme.
“Ne e kemi zgjedhur vetë të mos jemi në koalicion. Politikisht e kemi koalicionin, në disa zona kemi hyrë me lista të përbashkëta, ndërkohë në disa zona të tjera kemi hyrë me dy lista. Kemi vënë lista në të gjithë territorin tonë listat tona. Jemi më shumë të fokusuar tek Tirana.
Ky nuk është një bashkim real plus që kemi diferenca të mëdha. Jo diferenca ideologjike, por kemi diferenca përsa i përket mënyrës se si është administruar politika shqiptare gjatë këtyre viteve. Nuk e di kush do të jetë e ardhmja e kësaj pune sepse nuk shikoj reflektim për gabimet që janë bërë përpara.
Ka 15 vjet që këtu nuk del më asnjë parti e re asnjë ide e re sepse ligji është bërë që të fitojnë vetëm dy parti. Ka ardhur dita që gjithsecili prej nesh të ketë idetë e veta, shqiptarët të kenë mundësi të bëjnë një përzgjedhje mes dy alternativave të ndryshme. Kemi bërë përpjekje që brenda opozitës të mos ketë dy tre kandidatë sepse ja bëjmë gati Edi Ramës”- tha ai.