Është përfshirë nga debati seanca e sotme në kuvend, ku pritet të votohet buxheti dhe projektligji për portin e Durrësit. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bllokuar foltoren. Berisha akuzoi kreun grupit socialist Taulant Balla se ka porositur vrasjen e Ravik Gurrës.
“Ne jemi të zotuar dhe të vendosur të mbrojmë të drejtat tona. Nuk mundet një i akuzuar për vrasje, nuk mundet një njeri që akuzohet se ka porositur vrasje në Elbasan të marrë fjalën, këtu nxirre jashtë Parlamentit të shkojë në Prokurori. Si të duket ty akuza se ka porositur vrasjen e Ravik Gurrës? Ose të drejtat e opozitës do të respektohen ose opozita…. Mbylle gojën se po flas unë, shko në Prokurori se je i akuzuar për vrasje. Ke porositur vrasjen e Ravik Gurrës, mos përdor imunitetin diplomatik. Hera e dytë që akuzohet për porosi vrasje. Me asgjë nuk lahesh”, iu drejtua Berisha Ballës.
Sipas Berishës, Balla ka ngritur në detyrë prokurorin që ka fshirë regjistrimet e tij ku është kapur në lidhje me bandat për porosi vrasjesh.
“Ne jemi në këtë parlament për të respektuar ligjin dhe rregullore e parlamentit, të cilat shkelen vetëm se jemi opozitë. Sot nuk mu dha e drejta për përgjigje se fjala e parë që do t’i thosha është se je i akuzuar për porositje vrasjesh dhe ke fshirë regjistrimet dhe prokurori që ka fshirë regjistrimet e ka lartësuar në detyrë dhe se së bashku me ty në parlament është hija e të ndjerit Ravik Gurra, i cili të kishte kapur ty në lidhje me bandat në porosi vrasjesh dhe eliminove. Kjo është tronditëse dhe nuk ka vend në botë që të mos e dënonte këtë në parlament”.
Më herët Berisha paralajmëroi qëndresë në parlament derisa të zbatohet rregullorja dhe të respektohet opozita.
“Në çdo vendim që sillni mjeroni shqiptarët po kryeni krimin më të madh në histori vjedhjen. Ky burracak ka frikë nga fjala dhe më mohon të drejtën e përgjigjes ngaqë është zhytur në vjedhje. E drejta e replikës nuk mohohet kurrë. Ose zbatoni rregullore ose ne do të rrimë këtu, non stop derisa të ndryshoni”, theksoi Berisha.