Cristiano Ronaldo do të luajë në Arabinë Saudite për herë të parë që kur u transferua te Al Nasr. Ai do të jetë kapiteni i ekipit me lojtarët më të mirë të dy skuadrave të Riadit, në takimin ndaj PSG së Leo Mesit, që do të zhvillohet më 19 Janar në stadiumin “Mbreti Fahd”.
Kështu në kryeqytetin saudit do të ketë një tjetër përballje mes dy yjeve të futbollit, të cilët janë dalluar për rivalitetin në fushë në dekadën e fundit.
37-vjeçari do të luajë minimalisht 45 minuta në ekipin me yjet e skuadrave të Al Hilal dhe Al Nassr kundër parisienëve.
Ndërsa të dielën pritet debutimi i yllit portugez me skuadrën saudite të Al Nasr në përballjen kudër Al Etifak.
Në ekipin saudit do të luajë gjithashtu edhe Salem Al-Dausari, i cili shënoi në fitoren surprizuese ndaj Argjentinës në Kupën e Botës, si dhe Saud Abdulhamid.
Përballja ka ngjallur mjaft pritshmëri, e ka pasur rreth 2 milionë kërkesa për të qenë në stadium. Çmimi për një biletë VIP ka shkuar në 2.66 milionë dollarë, ndërsa ankandi përfundon të martën.
Ronaldo nuk luajti në dy sfidat e para të Al Nasr për shkak të pezullimit nga Federate Angleze e Futbollit, si dënim për veprimin e tij jo-sportiv, duke i rrëzuar nga dora telefonin një tifozi në muajin prill.
37-vjeçari ka firmosur deri në 2025 me sauditët, e do të përfitojë 216.34 milionë Dollarë në sezon.