Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, të pranishëm në takimin e organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, kanë biseduar edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Dimitar Kovaçevski tha se diskutoi me Vuçiçin keqkuptimet në lidhje me deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, i cili tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Beogradin me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri maqedonas teksa ka ndarë një status në rrjete sociale shprehet se në bashkëbisedimin me presidentin serb, ky i fundit e siguroi se popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas e konsideron shumë miqësor dhe nëse ndonjë qytetar maqedonas do të ofendohet nga ndonjë mesazh i shtetit serb do të kërkojë personalisht falje.
Statusi i kryeministrit maqedonas:
Sonte folëm me presidentin serb Aleksandër Vučić në Athinë. Ai më siguroi se si përfaqësues i shtetit serb, popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas e konsideron tejet miqësor dhe se nëse ndonjë qytetar maqedonas ofendohet nga ndonjë mesazh i shtetit serb, ata personalisht do të kërkojnë falje.
Gjithashtu nga ana e tij edhe presidenti serb ka shprehur vlerësimet duke thënë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë vende mike.
Reagimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç:
Me mikun tim dimitar.kovachevski. Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë vërtet vende mike. Nëse më pyet mua, vëlla. Mes nesh ka dhe nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim. Ne nuk kërkojmë asgjë nga vëllezërit tanë, e vetmja gjë që ofrojmë është miqësia e sinqertë.