Shtetet e “Trekëndëshit të Veimar”, Gjermania, Franca dhe Polonia, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me Ballkanin Perëndimor.
Aty ndër të tjera, ministrat e jashtëm të këtyre shteteve, kërkojnë që të ketë përparim sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Kërkojmë progres lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të angazhuara fort për Procesin e Berlinit, që do të thotë nxitje e bashkëpunimit rajonal dhe pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në dokument.
“Theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një Treg të Përbashkët Rajonal”.
Gjithashtu përmendet edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi dhe përparimin e tyre për perspektivë në rrugën evropiane dhe kontributin për stabiliteti në rajon”.
Gjithashtu theksohet edhe angazhimi pa kurrfarë mëdyshjeje për perspektivën e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur për procesin e pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne qëndrojmë të gatshëm për të mbështetur proceset e reformave në rajon”.
Si më kyçe përmenden rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve bilaterale.