Lista e re e “Forbes” për miliarderët e botës shënon një rritje të shpejtë të pasurisë globale. Këtë vit lista përmban 3028 emra, një numër rekord që nga publikimi i parë i listës në 1987. Pasuria e tyre totale arrin në 16.1 trilion dollarë, shuma më e lartë e të gjitha kohërave.
Musk është përsëri i pari me mbi 300 miliardë USD
Elon Musk rimerr vendin e parë, duke rrëzuar nga froni manjatin francez të mallrave luksoze Bernard Arnault, pasi pasuria e tij u rrit me 75%, duke arritur në 342 miliardë dollarë. Rritja e vlerës së tij neto ka ardhur për shkak të vlerësimit të xAI, SpaceX, si dhe prirjes rritëse të aksioneve të Tesla gjatë 12 muajve të fundit, pavarësisht rënies së muajve të fundit. Musk bëhet personi i parë që ka kaluar ndonjëherë 300 miliardë dollarë pasuri personale.
Trump dyfishoi pasurinë e tij
Presidenti amerikan Donald Trump ka parë pasurinë e tij të dyfishohet duke arritur tashmë në 5.1 miliardë dollarë falë aksioneve të tij në Trump Media & Technology Group dhe të ardhurave të mëdha nga investimet e tij të fundit në hapësirën e kriptomonedhave.
“Është një tjetër vit rekord për më të pasurit në botë, pavarësisht pasigurisë ekonomike dhe tensioneve gjeopolitike në rritje”, – tha Chase Peterson-Whitehorn, redaktori i pasurisë në Forbes. “Nga Elon Musk te Howard Latnick dhe miliarderët e tjerë që po depërtojnë gjithnjë e më shumë në qeverinë amerikane, ndikimi i tyre po zgjerohet vazhdimisht”.
Zuckerberg dhe Bezos në top pesëshe
Në vendin e dytë pas Musk është Mark Zuckerberg i Facebook me një pasuri të vlerësuar prej 216 miliardë dollarësh, ndërsa Jeff Bezos i Amazon pason në vendin e tretë me 215 miliardë dollarë. Në vendin e katërt është themeluesi i Oracle, Larry Ellison me 192 miliardë dollarë dhe në vendin e pestë është Bernard Arnault dhe familja e tij me 178 miliardë dollarë.

Dhjetëshja e parë plotësohet nga:
6: Warren Buffett, një nga investitorët më të suksesshëm të të gjitha kohërave me 154 miliardë USD.
7: Larry Page, i cili dha dorëheqjen si CEO i Alphabet, kompania mëmë e Google, në 2019, por mbetet anëtar i bordit të drejtorëve me 144 miliardë dollarë.
8: Sergey Brin, i cili dha dorëheqjen si kryetar i Alphabet, kompania mëmë e Google, në dhjetor 2019, por mbetet anëtar i bordit të drejtorëve me 138 miliardë.
9: Amancio Ortega, themelues dhe pronar i kompanisë shumëkombëshe Inditex, e cila, ndër të tjera, zotëron Zara-n, me 104 miliardë,
Hyrjet e reja: Nga Springsteen në Schwarzenegger
Lista e vitit 2025 përmban 288 miliarderë të rinj që shfaqen për herë të parë, duke përfshirë muzikantin Bruce Springsteen, themeluesin e Chipotle Steve Ells, CEO i Alphabet/Google, Sundar Pichai, aktorin dhe ish-guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger dhe 28-vjeçarin, bashkëthemeluesin e Scale AI, Alexander Wang, miliarderi më i ri në botë.
Vendet me më shumë miliarderë
Shtetet e Bashkuara ruajnë epërsinë me 902 miliarderë, një numër rekord, me një vlerë totale prej 6.75 trilionë dollarë. Kina pason në vendin e dytë me 450 miliarderë dhe India në të tretën me 205 persona.