Ka nisur në Itali gjyqi ndaj shqiptarit nga Vlora, Taulant Malajt i cili në 7 maj të një viti më parë kreu një krim mjaft të rëndë në Torremaggiore, një provincë e Foggias në venin fqinj. Shqiptari akuzohet për vrasjen me thikë të vajzës së tij, 16-vjeçares Jessica dhe fqinjit të tij italian, Massimo De Santis.
Shqiptari akuzohet edhe për tentativën e vrasjes së bashkëshortes së tij, Teftës. Gjykata e Assizes i tha jo kërkesës për një gjyq të shkurtuar ndërsa i mohoi të akuzuarit edhe kryerjen e një raporti psikiatrik. Në vend të kësaj, u pranuan dhjetëra dëshmi të marra. Avokati Roberto De Rossi që mbron bashkëshorten Tefta Malaj tha se do të jetë “një proces i gjatë dhe sigurisht i ndërlikuar”.
“Ne synojmë të evidentojmë sjelljen e të akuzuarit para dhe pas vrasjes për aspekte të ndryshme që lidhen me dozën e dënimit. Ne do të vazhdojmë në mënyrë konkrete dhe pragmatike me objektivat tona të qarta, duke vlerësuar herë pas here atë që do të dalë nga hetimi paraprak.Aktualisht mund të jemi të kënaqur vetëm sepse janë refuzuar të gjitha pyetjet paraprake, si para gjyqtarit hetues, ashtu edhe sot gjatë seancës, ku Gjykata është plotësisht dakord me argumentet e paraqitura nga Dr. Mannini në atë kohë” – tha avokati.
Në gjyq do të shfaqen edhe disa video të marra nga kamerat e sigurisë dhe si dhe ato të xhiruara nga vetë Taulant Malaj gjatë dhe pas kryerjes së masakrës. Imazhet pritet të jenë të papërpunuara dhe tronditëse. Seanca e radhës e gjykatës pritet të jetë në maj.