Imuniteti i tufës është i pamundur të arrihet me përhapjen e variantit Delta të koronavirusit.
Në këtë përfundim arrin një studim i ekspertëve të virologjisë në Universitetin e Oksfordit, të cilët thonë se edhe mutacioni me prejardhje nga India përhapet nga të vaksinuarit në të njëjtën masë si të pavaksinuarit.
Studimi konstaton se mundësia që të vaksinuarit plotësisht me dozat e Pfizer të kalojnë një infeksion me pasoja janë 82% më të ulëta se të pavaksinuarit dhe 62% për të imunizuarit me AstraZeneca.
Shkencëtarët e Oksfordit konfirmojnë se pasojat e infektimit tek të vaksinuarit, në shumicën dërrmuese të rasteve janë të lehta dhe deri më tani nuk janë regjistruar raste vdekjesh, të paktën në Britaninë e Madhe.
Imuniteti nga dozat aktuale është i mjaftueshëm për t’i bërë ballë variantit Delta, vlerëson studimi.
Megjithatë, ekspertët thonë se doza përforcuese krijon më tepër siguri për një variant të tillë të ashpër, çka është një arsye më shumë për të nisur injektimin e saj këtë vjeshtë.
Sakaq, agjencia amerikane e barnave FDA konfirmon se doza e tretë e vaksinave Pfizer krijon imunitet të mjaftueshëm për 6 deri 12 muaj.