Demokratët në SHBA planifikojnë të zyrtarizojnë nismën për hetim ndaj presidentit Donald Trump, për rolin e tij në sulmin ndaj ndërtesës së kongresit, të mërkurën e shkuar. Kryetarja e dhomës së përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se ajo do të bënte përpara me konkretizimin e Impeachment-it, nëse Trump nuk do të dorëhiqej menjëherë. Akuza për nxitje të rebelimit do të prezantohet nga demokratët e dhomës së ulët të kongresit, të hënën. Ata akuzojnë Trump se ka inkurajuar rebelimin në kongres në të cilin pesë persona humbën jetën. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, tha ndërkohë se impeachment-i ishte një çështje e kongresit por se ai, mendonte prej kohësh, që presidenti Trump nuk ishte i përshtatshëm për detyrën.
Vetë shtëpia e bardhë e hodhi poshtë impeachmentin duke e quajtur atë politikisht të motivuar dhe një lëvizje që nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të ndante akoma më shumë vendin. Rreth 160 demokratë të dhomës së përfaqësuesve kanë nënshkruar ligjin që kongresmeni Ted Lieu, nga Kalifornia, dhe David Cicilline, nga Rhode Island nisën të hartonin pas kaosit të së mërkurës në kongres. Nëse procesi shkon përpara, kjo do të ishte hera e dytë që dhoma e përfaqësuesve e vendos Trumpin nën impeachment.
Në nëntor 2019, dhoma e ulët e hetoi Trump nën akuzën për abuzim me pushtetin dhe pengim të kongresit, por senati e shfajësoi atë në shkurt 2020. Trump është presidenti i tretë që kalon në këtë proces. Dy presidentë të tjerë, Bill Clinton në 1999 dhe Andrew Johnson në 1868, u lanë po ashtu në detyrë nga senati. Presidenti Ricard Nixon, dha dorëheqjen para se të mund të vihej nën hetim.