Simpatizantët dhe anëtarët e Partisë Demokratike në mbarë vendin do të dalin sot të votojnë pranë zyrave të kësaj partie në degët e tyre për të zgjedhur kandidatin që do t’i përfaqësojë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Interesimi i kandidatëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje brenda demokratëve ka qenë tepër i madh, ndërkohë që ka dhe bashki si ajo e Elbasanit dhe e Shkodrës që kanë të regjistruar vetëm nga një kandidat në primare, përkatësisht Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia.
Gara më e fortë në primare është për Tiranën ku në listë janë 7 kandidatë: Belind Këlliçi, Gert Bogdani, Ilir Alimehmeti, Julian Deda, Adriana Kalaja, Enkelejda Fejzo dhe Fatmir Merkoçi.
Në zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 14 maj 2023, PD do të garojë në koalicion me Partinë e Lirisë dhe partitë e tjera opozitare. Sipas marrëveshjes së arritur me Ilir Metën, PD do të propozojë kandidatët për bashkitë, ndërsa kandidatët për këshillat bashkiakë dhe kryetarët e këshillave do të propozohen edhe nga Partia e Lirisë.
Për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet e kaluara, PS kontrollon 60 bashki të vendit. Pas largimit të disa kryebashkiakëve, në 6 mars të këtij viti, në 6 bashki u zhvilluan zgjedhje të pjesshme vendore, ku PS fitoi 5 dhe PD fitoi vetëm Shkodrën. Në ato zgjedhje demokratët garuan të ndarë, për shkak të përçarjes së madhe brenda partisë.