Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha se dënimi i Ervin Salianjit ngre pikëpyetje mbi ndikimin politik në vendimet gjyqësore. Edhe pse nuk pranoi të komentonte drejtpërdrejt vendimin e Gjykatës së Apelit, ajo e quajti të padrejtë përballjen e tij me drejtësinë.
“Nuk kam bërë asnjë herë komente për vendimet e drejtësisë. Ndërkohë që për zotin Salianji, ashtu siç e kam shprehur këto diutë, edhe nga ana profesionale, edhe nga ana personale, unë jam në mbështetje të tij dhe të betejës së tij dhe besoj që në këto momente, ashtu si dhe ai ishte i shqetësuar, besoj të gjithë jemi të shqetësuar edhe për familjarët e tij. Është e padrejtë që një koleg të dalë nga partia dhe të shkojë në qeli. Nuk ishte një ditë e mirë për të gjithë kolegët e grupit parlamentar ajo ditë”, tha Tabaku e ftuar në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Unë e kam bërë këtë kompromis me veten, nuk i komentoj, kam një çështje tjetër shumë të rëndësishme që unë ndjek, që është çështja e inceneratorëve, për të cilën unë kam bërë konferenca pa fund, kam drejtuar komision hetimor dhe akoma e kufizoj veten shumë për të bërë komente për këtë çështje. Sepse mendoj se duhet t’i lëmë kohë drejtësisë. Sepse jam e sigurt që e vërteta sigurisht do të dalë në këtë proces”.
“Një koleg ndodhet para drejtësisë për një denoncim që ka bërë nga selia e Partisë Demokratike. Dhe sigurisht që edhe në kuadrin personal dhe profesional jam në mbështetje të betejës së tij dhe veprimeve që do të ndërmarrë grupi parlamentar në mbështetje të tij. Ky është një element që vendos në pikëpyetje shumë të madhe kontrollin që mund të ekzistojë, balancën e pushteteve, por njëkohësisht edhe influencën politike në procese”, shtoi Tabaku.
E pyetur se kush e ka thënë që nuk komentohen vendimet e drejtësisë, Tabaku u përgjigj: “Nuk e di kush e ka thënë, por ky është një standard dhe një kompromis që unë kam me veten. Juve mund të kërkoni, jeni gazetar dhe mund të shikoni se kush mund ta ketë thënë. Unë kam kompromisin tim me veten që e kam thënë në shumë raste. Për rastin e kolegut tim Salianji unë kam 3 ditët e fundit që kam folur dhe sigurisht kam shprehur veçse mbështetjen time për të, sepse një koleg, i cili bëri një denoncim nga selia e PD, sot ndodhet para drejtësisë”.