Një burrë është dënuar me vdekje në Singapor përmes një lidhjeje me aplikacionin “Zoom” për rolin e tij në një marrëveshje për drogë. Ky ishte rasti i parë që dënimi më i rëndë shqiptohet nga largësia dhe jo në sallën e gjykatës.
Punithan Genasan, një burrë 37-vjeçar nga Malajzia, u dënua me vdekje për rolin e tij në shitjen e heroinës në vitin 2011. Procesi i marrjes së vendimit u zhvillua nga largësia për shkak të karantinës në kohën e pandemisë.
“Për sigurinë e të gjithë personave të përfshirë në procedurë, seanca për Punithan Genasan është mbajtur përmes video-lidhjes”, tha një zëdhënës i Gjykatës Supreme të Singaporit, duke i përmendur masat kufizuese si shkaktare.
Avokati i personit të dënuar, Peter Fernando, tha se është duke e shqyrtuar mundësinë e paraqitjes së ankesës, shkruan “The Guardian”.
Ndonëse grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar përdorimin e aplikacionit “Zoom” në rastet e rënda gjyqësore, Fernando tha se nuk është ankuar për mbajtjen e seancës në këtë mënyrë, sepse ajo kishte të bënte vetëm me marrjen e vendimit të gjykatësit.