Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS bëri një denoncim gjatë mbledhjes që u zhvillua mesditën e kësaj të hëne. Salianji tha se mazhoranca është e frikësuar nga hetimi. Ai vuri në pah se po lëvizen drejtuesit e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar si dhe në Policinë e Shtetit po falsifikohen procesverbalet dhe protokollet.
Ervin Salianji: Ju jeni të shqetësuar dhe e tregoni këtë që nga zhvendosja e drejtorëve që po bëni te Drejtoria e Informacioni të Klasifikuar, nga falsifikimi i provave dhe protokolleve në Policinë e Shtetit. Ju jeni të shqetësuar. Po të doni të bëni spektakël e kthejmë mo, por nuk është faji im që ju thoni paskemi patur lajthitje ne dhe pse ti kape lajthitjen tonë. Zotëri, këtu ka vetëm një gjë dhe plani paraprak ka dalë në media dy ditë pas ju është shpërndarë ju. Iu ricitoj tani, unë mendoj thotë anëtarja e këtij komisioni Blerina Gjylameti unë medoj se duhet të thërrasin edhe zotin Sali Berisha, ish-kryeministër, edhe zotin Lulzim Basha ish-ministër i Brendshëm sepse ka të bëjë me TIMS-in. Tani ça t’ju them unë? Ju ka ardhur me email plani paraprak i hetimit nga Sekretaria e hetimit që në datën 5 prill.
Me një thirrje, deputeti demokrat iu drejtua edhe strukturave të Policisë së Shtetit.
“Një thirrje për institucionet, sidomos për Policinë që të mos falsifikojë proces-verbale apo protokolle apo akte të tjera, që do jenë objekt i këtij Komisioni Hetimor. Unë besoj se një kontribut do ketë edhe nga PS, se dihet se ata e duan shumë reformën në drejtësi“, u shpreh Salianji.
Mbledhja u shoqërua nga debatet pasi PS kërkoi ndryshimin e planit të hetimit dhe heqjen e emrit të ish-kryeministrit Sali Berisha si dëshmitar pasi ndodhet në masën arrest shtëpie. Javën e kaluar socialistët kërkuan në komision që të shtoheshin në listën e dëshmitarëve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi.