Më 12 shtator 2023, në kuadër të Procesit të Berlinit, në Shkup, Maqedoni e Veriut, u mbajt konferenca me temë: “Avancimi i Procesit të Berlinit përmes diplomacisë parlamentare”. Në këtë takim morën pjesë deputëtët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë së bashku me përfaqësues të Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në përfaqësim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë morën pjesë Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane znj. Jorida Tabaku, si dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare, z. Kreshnik Çollaku, znj. Sorina Kote, z. Xhelal Mziu dhe z. Petrit Doda.
Konferenca u përshëndet nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut SH.T.Z. Talat Xhaferri, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falenderoi Republikën Federale Gjermane për interesin dhe mbështetjen e saj në përparimin e perspektivës europiane të rajonit përmes promovimit të kësaj nisme.
I ftuar i posaçëm ishte Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme i Bundestagut Gjerman, z. Michael Roth. Gjatë fjalës së tij ai theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit si një mundësi për vendet e rajonit në kuadër të katër lirive sikurse janë në Bashkimin Europian. Gjithashtu z. Roth solli në vëmendje propozimet e Charles Michel, President i Këshillit Europian. Propozimet, theksoi ai, janë: vendet kandidate mund të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Europian; bashkëpunim i ngushtë i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor; rritje e fondeve IPA; forcimi i pavarësisë së shoqërisë civile; rritje e kontributit të secilit shtetet anëtar të BE-së për vendet kandidate; vendimarrja e institucioneve europiane për hapat e mëtejshëm të zgjerimit të jetë me shumicë të cilësuar.
Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane znj. Jorida Tabaku theksoi rëndësinë e zbatimit të këtyre marrëveshjeve si dhe nevojën e domosdoshme të informimit të Parlamentit mbi çdo akt të ndërrmarrë nga qeveria shqiptare në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në veçanti të Procesit të Berlinit, duke e konsideruar atë si detyrim ligjor për informimin e qytetarëve, bazuar dhe në ndryshimet e fundit të ligjit nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Më tej znj. Tabaku njoftoi për konferencën e rradhës që do të mbahet në Tiranë më datë 13 tetor 2023, si pararendje e Samitit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë më 16 tetor 2023.
Gjatë kësaj Konference u theksua rëndësia e pjesëmarrjes aktive të parlamenteve në Procesin e Berlinit, nëpërmjet krijimit të dialogut parlamentar në fushat kyçe të bashkëpunimit politik, ekonomik, social dhe të sigurisë në rajon.
Pjesëmarrësit theksuan se duhet të vijojë procesi i ratifikimit të tri marrëveshjeve të negociuara midis vendeve të Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar. Këto marrëveshje përmbajnë: lëvizjen e lirë të personave me kartë identiteti; njohje e kualifikimeve të diplomave të arsimit të lartë dhe njohja e diplomave profesionale për mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Në rastin e Shqipërisë të trija këto marrëveshje janë ratifikuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, megjithatë u konsiderua e rëndësishme që për zbatimin e tyre është e domosdoshme njoftimi i parlamenteve, qytetarëve dhe sidomos palëve të interesuara.
Deri në këto momente Bosnje Hercegovina nuk i ka ratifikuar këto marrëveshje për çështje të brendshme, ndërsa Mali i Zi po ashtu nuk i ka ratifikuar për shkaqe proceduriale, shkaktuar nga zgjedhjet e parakohshme.