Deputetët e Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe kanë kërcënuar se do t’i bllokojnë të gjitha përpjekjet e kryeministres May për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, duke thënë se kjo lëvizje do ta përçante partinë dhe do ta përkeqësonte krizën e Brexitit.
Si shenjë e kolapsit të autoritetit të kryeministres, edhe ministrat e kabinetit qeveritar janë në mesin e politikanëve që kanë paralajmëruar se do të zhvillohet një fushatë serioze nga deputetët konservatorë kundër zgjedhjeve të reja. Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve u përmend javën e kaluar nga May si mënyrë për zgjidhjen e çështjes së Brexitit.
Kërcënimi i kryeministres për zgjedhje të parakohshme i zemëroi deputetët që mbështesin largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe deputetët që janë kundër daljes nga BE-ja. Për shpalljen e zgjedhjeve nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve dhe një rebelim i mundshëm i deputetëve konservatorë do ta pamundësonte mbajtjen e tyre.
Në rast të dështimit për t’i siguruar dy të tretat e votave për shpallje të zgjedhjeve, kryeministrja May do të ishte e detyruar ta mbështesë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së vet, për të cilin nevojitet shumica e thjeshtë e votave.
Pritet që gjatë javës së ardhshme deputetët të kërkojnë nga kryeministrja që ta realizojë një Brexit “të butë” në mënyrë që t’i marrë votat e nevojshme në kuvend. Më shumë se 100 deputetët konservatorë kanë kërkuar nga kryeministrja që ta përjashtojë mundësinë e shtyrjes së gjatë të Brexitit, edhe nëse kjo do të nënkuptonte daljen nga BE-ja pa marrëveshje, shkruan “The Guardian”