Të dalësh i treti dhe të thuash nuk kam humbur ndonjëherë, ti qofsh”, tha Salianji.
Deputetët demokratë po i bëjnë presion politik Lulzim Bashës që të tërhiqet nga karrigia e kryetarit të selisë blu.
Ervin Saljanji tregon që afati i fundit për reflektimin e tij është ora 11:00 e mbledhjes së grupit parlamentar ditën e shtunë.
“Nuk i kërkojmë shumë gjëra, i kërkojmë vetëm një, të japë dorëheqjen. Nuk humb gjë shoqëria, PD jo e jo, shumica e grupit i kërkoi dorëheqjen nga drejtimi i partisë sidomos pas një deklarate ku thoshte që nuk kam humbur asnjë garë. Ne kultin e individit kemi luftuar në këto muaj”, tha Salianji.
Kundërshtarët demokratë brenda selisë blu i kanë paraprirë edhe çdo skenari të Bashës për të kërkuar më shumë kohë. Ata kanë nisur mbledhjen e firmave për ta larguar atë.
“Propozimet e mundshme dhe çdolloj propozimi i PD-së po shihet dhe ne nesër kemi mbledhje në orën 11:00. Të gjitha propozimet do bëhen publike në momentin që do marrin dakordësinë e gjithë grupit parlamentar”, tha Salianji.
Lulzim Basha me 6 mars nuk humbi vetëm kundër Edi Ramës, por sipas Saljanjit humbjen më të madhe e kishte përballë liderit historik të PD Sali Berisha.
“Shtëpia e Lirisë kishte një prej politikanëve më të moshuar në Shqipëri, i cili ishte thuajse kudo, ndërkohë që zoti Basha dilte një herë në ca kohë në fushatë”, tha ai.
Pas rezultatit të 6 marsit, Saljanji është i bindur që ringritja e PD mund të bëhet vetëm nëse do të ketë një bashkim edhe me deputetët e Komisionit të Rithemelimit.
“Kushdo i ka dyert e hapura në PD. Ne nuk shkojmë në nëj parti tjetër qoftë kjo Shtëpi e Lirisë apo kushdo tjetër. Ata deputetë të PD-së apo njerëz të zgjedhur të PD që janë larguar duhet të vijnë në PD”, tha ai.
Saljanji nuk e fsheh as ai ambicien politike për drejtimin e PD, por në këto rrethana më e rëndësishme sipas tij është “shërimi” politik i PD.
“Në politikë gjithsecili ka ambicie”, shtoi Salianji.
Ditën e shtunë në orën 11:00 Lulzim Basha do të mbledhë edhe njëherë grupin parlamentar të PD, të cilët në këtë takim do të shkojnë të përgatitur me dokumente për t’ja bërë të qartë atij se qëndrimi i tyre nuk është vetëm emocional.