Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj ka goditur me grusht një qytetar në sheshin e Prishtinës.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se Zemaj ishte duke dhënë një intervistë për një media vendore në momentin kur ka ndodhur incidenti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, vetë Zemaj pretendon se është ofenduar dhe provokuar nga qytetari.
Ndërkohë Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Postimi i Armend Zemaj:
Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qellim te caktuar, këtë do e vertetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike.
Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është te mos reagoj me emocione.
Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin.




