Me anë të një postimi në rrjetet sociale, deputetja britanike Alicia Kearns ka shkruar se Britania e Madhe dhe BE duhet të mbështesin ndërtimin e urave dhe jo bllokimin e tyre.
Ajo thekson se për hapjen e Urës së Ibrit është rënë dakord në vitin 2015 dhe nuk ka pse të veprohet ndryshe nga marrëveshjet e tjera që janë arritur me Kosovën.
Më tej, deputetja britanike shkruan se, “të ndëshkosh Kosovën për hapjen e një ure, duke injoruar Banjskën, sugjeron se vetë procesi është thellësisht i padrejtë”.
“E shokuar teksa shoh që BE-ja kërcënon Kosovën me masa të mëtejshme nëse Ura e Ibrit rihapet.
Kjo është rënë dakord në vitin 2015 me datën e zbatimit në vitin 2017 – pse është e ndryshme nga marrëveshjet e tjera të mëparshme që BE-ja e detyron Kosovën të mbajë?
Qeveria e re e Mbretërisë së Bashkuar dhe ekipi i ri i BE-së duhet të bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë, jo bllokimet e rrugëve dhe ndarjen. BE-ja ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim kuptimplotë kundër Serbisë, pavarësisht provave të shumta që lidhin Milan Radoicic dhe sulmuesit e Banjskës me shtetin serb.
Të ndëshkosh Kosovën për hapjen e një ure, duke injoruar Banjskën, sugjeron se vetë procesi është thellësisht i padrejtë dhe ka nevojë për reforma urgjente”, thotë deputetja britanike, Alicia Kearns, në postimin e saj në rrjetet sociale.