Kryetarja e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Komunave në Britani është shprehur se veprimi ushtarak i SHBA-së në Venezuelë shkel ligjin ndërkombëtar dhe Mbretëria e Bashkuar duhet ta bëjë të qartë se është “i papranueshëm”.
Sipas mediave të huaja, Dame Emily Thornberry është deputetja më e lartë laburiste deri më tani që ka kritikuar sulmet e Donald Trump ndaj Venezuelës gjatë fundjavës, në të cilat u arrestua Presidenti Nicolas Maduro dhe gruaja e tij.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar deri më tani ka refuzuar të thotë nëse aksioni ishte i paligjshëm, duke këmbëngulur se u takon amerikanëve të përcaktojnë bazën ligjore për veprimin në fjalë.
Por veprimet e presidentit amerikan janë kritikuar nga disa deputetë të Partisë Laburiste, si dhe nga udhëheqësit e Liberal Demokratëve, të Gjelbërve dhe SNP-së.
Dame Emily tha se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj duhet të thonë kolektivisht “nuk mund të lejojmë shkelje të ligjit ndërkombëtar si ky rast. Nuk mund të kemi ligjin e xhunglës”.
Ajo shtoi: “Ne e dënojmë Putinin që e bëri këtë. Duhet ta bëjmë të qartë se as Donald Trump nuk duhet ta bëjë këtë.”
“Njerëzit thjesht nuk mund të bëjnë çfarë të duan. Dua të them, ne nuk mund të kemi një lloj anarkie ndërkombëtare”, vijoi ajo më tej.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se veprimi i SHBA-së rrezikonte të inkurajonte Rusinë dhe Kinën për të ndërmarrë veprime të tilla.

