Deputetja Ina Zhupa e cila më parë ka qenë e pozicionuar në grupin e atyre që ishin kundër ish kryeministrit Sali Berisha i është bashkuar sot Kuvendit Kombëtar.
Në një prononcim për mediat ajo tha se “Unë marr pjesë në këtë Kuvend jo për tu konsideruar si palë me një grup apo tjetrin, por për të bërë një akt nga ana ime në drejtim të bashkimit dhe në respekt të demokratëve që ndodhen në këtë Kuvend.
Një pjesë e të cilëve janë edhe nga dega e Sarandës dhe votues të PD. Sigurisht që ky nuk është akti i fundit sepse bashkimi është proces dhe ai duhet ndjekur hap pas hapi”.
“Objektivi ynë nuk duhet të jetë që të dalim të dytët apo të tretët në zgjedhjet lokale. Por duhet të jetë objektiv që të fitojmë përballë Edi Ramës. Përballë tij fitojmë duke qenë të bashkuar dhe prandaj erdha këtu si një shenjë bashkimi dhe vullneti për bashkim.
Ky nuk është akti i fundit i bërjes me një palë kundër një pale tjetër, por si shtyrje për të gjithë deputetët që të lëmë pas sedrën dhe të bëjmë një hap drejt bashkimit”, theksoi më tej deputetja demokrate.