Pesëmbëdhjetë milionë euro dhe një konferencë donatorësh për Shqipërinë e goditur nga tërmeti, premtoi sot presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një konference shtypi në Bruksel.
”Unë zhvillova të dielën një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Komisioni Europian qëndron në solidaritet të plotë me Shqipërinë me veprime dhe jo vetëm me fjalë. Ne e mbështesim tashmë Shqipërinë në terren dhe do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të ofruar më shumë mbështetje”, deklaroi Der Leyen.
“Komisioni i BE-së ka ndihmuar në mobilizimin e ekipeve të kërkimit dhe shpëtimi, një staf prej më shumë se 200 peronash nga Italia Greqia dhe Rumania. Ne kemi dërguar me dhjetëra shtretër, gjeneratorë, çanta gjumi, batanije dhe sende për nevoja urgjente nga Belgjika Rumania Sllovakia. Komisioneri i caktuar për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç do të udhëtojë sot në Shqipëri. Ai është aty kryesisht për të dhënë një vlerësim të saktë për gjendjen e ndërtesave në zonat e prekura, dhe natyrisht për një vlerësim parësor se çfarë lloj ndihme nevojitet për rindërtimin e tyre”, shtoi ajo.
”Hapi i parë që do të ndërmarrim është mbledhja e një fondi nga vendet fqinje, 15 milionë euro menjëherë, për të mbështetur popullin shqiptar, ndërsa si komision kemi vendosur të organizojmë një konferencë donatorësh”, theksoi Der Leyen.
“Unë do të telefonoj sot përsëri Edi Ramën që ta informoj për këto fakte”, përfundoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen./