Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se priste diskutime të vështira me Britaninë e Madhe për marrëdhënien post-Brexit, duke paralajmëruar se do të jetë e pamundur dakordësia mbi të gjitha aspektet deri në fund të vitit 2020.
“Do të ketë diskutime të vështira dhe çdo palë do të bëjë atë që është më e mirë për ta”, deklaroi ajo në një konferencë në “London School of Economics” (LSE).
Shefja e ekzekutivit evropian do të takohet sot në Downing street me kryeministrin britanik, Boris Johnson për të folur për negociatat mbi marrëdhëniet mes Brukselit dhe Londrës pas daljes nga Bashkimi Evropian parashikuar më 31 janar.
Boris Johnson përjashtoi çdo shtyrje pas 31 dhjetorit 2020 të periudhës së tranzicionit parashikuar për këto negociata.
“Pa një zgjatje të periudhës së tranzicionit, që do të fillojë nga data zyrtare e Brexit më 31 janar, nuk mund të presësh të kesh dakordësi në të gjitha aspektet e partneritetit të ri”, paralajmëroi presidentja e Komisionit Evropian.
“Ne duhet të zgjedhim prioritetet”, shtoi ajo duke garantuar se BE-ja ishte e gatshme të punonte ditë dhe natë dhe u shpreh optimiste.
“Ne do të punojmë për zgjidhje që do të ruajnë integritetin e BE-së, tregut të përbashkët dhe unionin doganor. Nuk mund të ketë kompromise në këto fusha”, nënvizoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen./ATSH/