Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, e ka vlerësuar lart sulmuesin Karim Benzema, i cili, sipas tij, luajti rol kyç në triumfin e tre kolorëve në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Franca triumfoi në turneun final të Ligës së Kombeve, që u mbajt vikendin e shkuar në Itali.
Benzema në dy ndeshje për Francën, në gjysmëfinale dhe finale të Ligës së Kombeve, shënoi dy gola. Benzema fillimisht shënoi golin e parë për Francën në fitoren 3:2 ndaj Belgjikës në ndeshjen gjysmëfinale të luajtur në Torino. Ndërsa në finalen e zhvilluar në Milano, sulmuesi i Realit shënoi gol të bukur në triumfin 2:1 ndaj Spanjës.
Në të dyja këto ndeshje, Franca ishte në disavantazh. Pas golave të shënuar dhe triumfit në Ligën e Kombeve, përzgjedhësi i Francës, Deschamps, ka insistuar se Benzema mbetet një prej lojtarëve kryesorë në ekipin e tij. Në fakt, Deschamps ka thënë se Benzema është përmirësuar dukshëm në çdo aspekt.
“Karimi është një lojtar vendimtar për ekipin tonë dhe ai e ka dëshmuar këtë në të dy ndeshjet. Ai tregoi se ka talent të jashtëzakonshëm për të shënuar gola dhe këtë e vërtetoi edhe në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve”, është shprehur Deschamps. “Si sulmues, Benzema është përmirësuar në fusha të ndryshme. Është më klinik para portës kundërshtare dhe po krijon hapësira edhe për shokët e tij të skuadrës, veti që nuk i ka pasur më herët”.
Në fakt, sulmuesi i Realit, Benzema, ishte dëbuar nga Përfaqësuesja e Francës më shumë se pesë vjet më parë, për shkak të përfshirjes në një skandal. Por u rikthye në ekip nga Deschampsi përpara fillimit të Kampionatit Evropian, që u mbajt këtë vit. Pikërisht Deschamps, që është në krye të Francës prej vitit 2012, ishte ai që e dëboi sulmuesin nga ekipi.
Benzema pati paraqitje mbresëlënëse në fazën finale të Ligës së Kombeve dhe ndihmoi Francën ta fitojë këtë garë pas dështimit në “Euro 2020”.
“Nga perspektiva personale, ai nuk është më i njëjti person, ai është pjekur shumë. Ai ka qenë në nivelin më të lartë për një kohë të gjatë dhe për këtë arsye e kam kthyer në ekip. Tani edhe unë jam i kënaqur që Benzema është pjesë e ekipit tonë dhe do të jetë në gjendje të na ndihmojë në çdo ndeshje”, ka insistuar Deschamps. “Në të vërtetë, Benzema po e bën për ne atë që po e bën për Real Madridin. Po tregohet i rëndësishëm, po shënon gola dhe po na ndihmon që të fitojmë ndeshjet”.
Për Benzeman ky ishte trofeu i parë me fanellën e Francën. Ai pati debutuar te Franca në vitin 2007 dhe deri më tani ka regjistruar 92 paraqitje dhe ka shënuar 33 gola.
“Për mua kjo është një ëndërr e realizuar si në aspektin ekipor ashtu edhe në atë personal. Unë gjithmonë kam dashur të fitoj trofe me Francën dhe nuk ka qenë e lehtë. Tash, pas këtij triumfi, duhet të përgatitemi për Kampionatin Botëror që mbahet vitin tjetër”, ka thënë Benzema, i cili u shpall lojtari më i mirë i finales së Ligës së Kombeve.