Publikohet historia e panjohur e Ramadan Çitakut me origjinë nga një prej familjeve më të dëgjuara të Mitrovicës, i cili falë një burse të qeverisë Mbretërore të Zogut në vitin 1930, erdhi në Tiranë dhe filloi studimet në Shkollën Teknike Amerikane të Fultz-it, ku ai ra në kontakt për herë të parë me idetë komuniste dhe për kontributin e punën e madhe që kishte bërë deri në atë kohë me ‘Grupin Komunist të të Rinjëve’, (ku njihej me pseudonimin “Baca”), ai morri pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare në 8 nëntorin e ’41-it. Angazhimi i madh i Çitakut në Lëvizjen Antifashiste, duke qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet kryesore të Luftës që nga Konferenca e Pezës, mbledhja e Labinotit, Kongresi i Përmetit, Plenumi dhe mbledhja e Beratit, ku ai u zgjodh ministër i Financave në qeverinë e parë të kryesuar nga Enver Hoxha, si dhe funksioni i ambasadorit fuqiplotë të Shqipërisë në Beograd, ku ai shërbeu deri në prishjen e marrëdhënieve zyrtare në mes dy vendeve. Mënjanimi i Çitakut nga Enver Hoxha duke u dërguar të punonte si Drejtor i Arkave të Kursimit, pasi ai e konsideronte si ‘njeri të Jugosllavëve’ dhe abandonimi e lënia në “harresë” e tij nga shokët e armëve dhe idealit, deri në vitin 1990, kur ai ndërroi jetë, pasi Enveri dhe Nexhmija nuk kishin pranuar kërkesën e tij për t’u kuruar jashtë shtetit!
“Për aq kohë sa ndenjëm aty në selinë e ambasadës shqiptare në Beograd, ne të dy ishim nën survejimin e rreptë të UDB-së dhe telefoni ynë binte në çdo çast, e sapo ata dëgjonin zërin e tij, e mbyllnin! Kjo gjë ndodhte për t’u siguruar që “Baca” ishte aty. Kur u kthyem në Tiranë, Enver Hoxha e thirri Ramadanin në Ministrinë e Jashtme dhe e pyeti se ku ndodhej Tito. Ai i’u përgjigj se nuk dinte gjë, por nga shtypi jugosllav, deklarohej se Tito, po pushonte në rezidencën e tij në liqenin e Bledit në Slloveni. Pas këtyre fjalëve, Enveri, u nxeh keq me Ramadanin, duke i thënë se: ‘çfarë ke bërë ti atje, kur nuk e di se ku ndodhet Tito”?! Kështu e kujtonte takimin e “Bacës’, me Enver Hoxhën, Hatixhe Deliu, bashkëshortja e Ramadan Çitakut, një nga personalitetet e Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri, ish-themelues i Partisë Komuniste Shqiptare në mbledhjen e 8 nëntorit ’41, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe pjesmarrës në të gjitha ngjarjet kryesore të Luftës, që nga Konferenca e Pezës, mbledhja e Labinotit, Kongresi i Përmetit, Plenumi dhe mbledhja e Beratit ku ai u zgjodh ministër i Financave në qeverinë e parë , etj., i cili pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së Titos, do të shkarkohej nga ambasador fuqiplotë në Beograd dhe do të mënjanohej nga Enver Hoxha dhe “harrohej” nga shokët e tij të armëve dhe idealit, madje deri në prillin e vitit 1990-të që ai u nda nga jeta, pak kush e dinte se ai kishte jetuar deri në atë kohë! Për më shumë rreth kësaj dhe të gjithë historisë së jetës së Ramadan Çitakut, do njihemi në këtë shkrim, nëpërmjet dëshmive që Memorie.al i ka marrë familjes Çitaku.
Nga Mitrovica, në ‘Tekniken’ e Fultz’-it në Tiranë
Ramadan Çitaku lindi më 14 shkurt të vitit 1914, në qytetin e Mitrovicës, ku Çitakët asokohe njiheshin si një nga familjet më të mëdha dhe më me emër të asaj krahine. Babai i Ramadanit, Hasan Çitaku, ishte itendent i çetës së Azem Galicës dhe në atë çetë ishte dhe i vëllai i vogël i Hasanit (Sinani), kurse vëllai më i madh i tyre, Ibrahimi, ishte vrarë në luftë me serbët. Mësimet e para Ramadani i mori në qytetin e Mitrovicës, ku arriti të bëjë dhe dy vjet shkollë të mesme, ndërsa në vitin 1930, ai vendosi që të largohej nga Kosova dhe të vinte në Tiranë, për të vazhduar shkollën Tekniken Amerikane, që njihej ndryshe si ‘Shkolla e Fultz’-it. Në Tiranë ku Ramadani erdhi në verën e vitit 1930 nga Mitrovica e largët, nuk kishte asnjë familje që ta priste dhe asnjë përkrahje. Nisur nga kjo, përpara fillimit të vitit të ri shkollor, ai hyri si puntorë në një fermë në periferi të Tiranës, për të siguruar disa të ardhura që do t’i duheshin me fillimin e mësimeve. I vetëm, pa asnjë ndihmë, ai shkonte nëpër disa zyra të administrates së asaj kohe, deri sa arriti të siguronte një bursë shtetërore, për të filluar mësimet në shkollën e mesme amerikane të Fultz-it, bursë e cila i’u akordua në në kuadrin e një favorizimi që bënte qeveria e asaj kohe, për t’ju ardhur në ndihmë nxënësve nga Kosova. Nga bashkëmoshatarët me të cilët Ramadani kishte më shumë miqësi në atë shkollë, ishin Sadik Premtja nga Vlora dhe Anastas Lula nga Kolonja, kurse nga nxënësit që kishin ardhur nga Kosova, ishte Sadik Staveleci, shoku më i afërt i Ramadanit. Në atë rreth shoqëror në bangat e shkollës Teknike, Ramadani ra për herë të parë në kontakt me idetë komuniste që kishin filluar të përhapeshin asokohe, sidomos te rinia e qyteteve kryesore të vendit. Pas mbarimit të kësaj shkolle në vitin 1934, Ramadani, caktohet të punonte si Teknik Gjeometër në Bashkinë e qytetit të Durrësit dhe gjatë asaj kohe që shërbeu atje në atë profesion, ai u njoh dhe zuri një miqësi të ngushtë me Nako Spiron. Së bashku me Nakon, në atë qytet Ramadani, bëri një punë të madhe për përhapjen e ideve komuniste, kryesisht te rinia shkollore. Më 7 prill 1939, kur Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, Ramadani vazhdonte të punonte në sektorin e mirmbajtjes së rrugëve në zonën e Prezës, me detyrën e gjeometrit.
Në mbledhjen themeluese të PKSH-së më 8 nëntor ‘41
Ndërkohë, me konsolidimin e Grupit Komunist të të Rinjëve, që përbëhej kryesisht me nxënësit e Shkollës Teknike të Fultz-it, Ramadani, ishte një nga eksponentët kryesorë të këtij grupi, pas Sadik Stavelecit, Sadik Premtes, Anastas Lulës etj. Puna që Ramadani kishte bërë në Durrës me Nako Spiron, e bëri atë që të fitonte një emër të mirë dhe të propozohej për të shkuar si përfaqësues i këtij grupi në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, më 8 nëntor të vitit 1941. Në atë mbledhje themeluese, Ramadani, ose siç njihej ndryshe me pseodonimin “Baca” (siç thërriteshin burrat e motshëm në Kosovë), ndryshe nga shokët e tij të Grupit Komunist të të Rinjëve, (Sadik Premtja e Anastas Lula), “Baca”, ishte partizan i tezës që e mbronte Enver Hoxha dhe disa pasues të tij, që të formohej njëherë Partia Komuniste, pastaj të sheshoheshin mosmarrveshjet që kishin grupet ndërmjet tyre. Pas mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste, Ramadani, u zgjodh një nga shtatë anëtarët e Komitetit Qëndror Provizor, të kësaj partie. Detyrat që i’u caktua Ramadanit pas mbledhjes themeluese, ishte që të punonte në Qarkun e Elbasanit, së bashku me Kadri Hoxhën (“Lila”) për forcimin dhe përhapjen e ideve komuniste në atë zonë. Në Qarkun e Elbasanit, Ramadani së bashku me Kadri Hoxhën, gjetën përkrahjen e disa njerëzve të njohur dhe me popullaritet të madh, si Ali Shtëpani dhe Baba Faja Martaneshi, të cilët i ndihmuan ata që të ngrenë çetat e para partizane në atë zonë, si atë të Çermenikës dhe Martaneshit. Ishte “Baca” me Kadri Hoxhën, të cilët arritën të afronin në rradhët e Levizjes Antifashiste një nga figurat më të njohura dhe më të respektuarat të asaj zone, siç ishte Baba Faja Martaneshi, dhe jo Enver Hoxha, i cili në kujtimet e tij, vite më vonë kur shkroi kujtimet e tij në fillimin e viteve ’80-të, në librin “Kur hidheshin themelet”, i’a atribuon vetes atë gjë.
Në Konferencën e Pezës dhe mbledhjen e Labinotit
Pas një pune shumë të madhe që “Baca” bëri në zonën e Elbasanit ai, caktohet që të shkojë si delegat në Konferencën e Pezës, si përfaqësues i Partisë Komuniste Shqiptare dhe i mandatuara prej saj të bënte takime me nacionalistët. Pas Koço Tashkos, një prej ideatorëve të asaj konference, i dyti që do ta mbështeste më shumë këtë veprim, (pra takimet me nacionalistët, për t’i afruar ata në rradhët e Lëvizjes Antifashiste), do të ishte “Baca”. Madje ai, do të merrej deri dhe me detajet teknike të zhvillimit të asaj mbledhje dhe Çitaku, në bazë të direktivave që kishte marrë nga Koço Tashko, shkoi në Elbasan për të takuar ish -kryeministrin Shefqet Vërlaci, duke e ftuar atë në mbledhjen me nacionalistët që do të mbahej më 16 shtator 1942. Por Vërlaci, vuri kusht për të pranuar për negociata vetëm Ramadan Çitakun, nga të gjithë grupi që ishte caktuar nga komunistët për të biseduar me të dhe ai e priti Çitakun në rezidencën e tij në Elbasan. Pas përfundimit të Konferencës së Pezës, Ramadan Çitaku, i dërguar nga Partia Komuniste Shqiptare, do të zhvillonte mjaft takime, në zona të ndryshme të vëndit, nga veriu në jug. Në Konferencën e Labinotit, (e njohur ndryshme si Konsulta e parë e PKSH-së) të zhvilluar në mars 1943, ai u zgjodh antar i Komitetit Qëndror drejtues të Partisë Komuniste Shqiptare. Njëkohësisht, vetëm pesë muaj më vonë, Çitaku zgjidhet edhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në mbledhjen e 10 korrikut të vitit 1943, e mbajtur po në Labinot.
Ministër i Financave në qeverinë e parë në Berat
Duke parë tek figura e Ramadan Çitakut, një njeri serioz, të qetë, dhe me ndikim, komunistët shqiptarë do ta zgjidhnin atë, në të gjitha forumet e larta drejtuese të kësaj partie, që nga themelimi i saj në 1941-in. Kështu, ai u zgjodh në Konferencën e Labinotit si antar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe delegat në Kongresin e Përmetit. Në atë kongres, ai do të merrte gradën e kolonelit dhe u zgjodh antar në Komitetin e Përgjithshëm Antifashist që kishte atributet e një qeverie të përkohshme. Pas Kongresit të Përmetit, “Baca” gjithashtu morri pjesë në Pleniumin e Beratit, ku gjatë formimit të qeverisë provizore, ai do të merrte detyrën e Ministrit të Financave. Por në atë plenium, do të niste dhe fillimi i goditjes politike ndaj tij. Si rezultat i ndikimit të madh që kishin emisarët jugosllavë, si kolonel Velimir Stojniç dhe Njaz Dizdareviç në krye të PKSH-së, “Baca” do të përjashtohej provizorisht nga Komiteti Qëndror i (deri në një vëndim të dytë), pasi ata e akuzuan se po mbronte vijën e Enver Hoxhës në atë mbledhje, ku “Tarasi” u akuzua ashpër prej tyre. Lidhur me këtë, vite më vonë në kujtimet e tij personale (që do t’i sekuestroheshin me urdhër të Enve Hoxhës, me pretekstin ‘për t’i dërguar në stendat e muzeumeve’), midis të tjerash, Çitaku, shkruante: “Në atë plenium, ku unë u godita ashpër prej jugosllavëve sepse mbrojta Enverin, nuk pata asnjë përkrahje. Madje aty nuk më mbrojti as vetë Enver Hoxha, që i takonte ta bënte atë gjë”?! Sulmet dhe goditja që i’u bë Ramadan Çitakut në Plenumin e Beratit, erdhën për arsye se ai njihej mirë nga Velimir Stojiniç dhe Nijaz Dizdareviçi të cilët e konsideronin si një nga njerëzit më të besuar të Enver Hoxhës, pasi së bashku me Vasil Shanton, për llogari të PKSH-së, ata kishin shkuar disa herë në Maqedoni, Kosovë, dhe Mal të Zi, për të marrë kontakte me krerët kryesorë komunistë të atyre vëndeve. Nga fundi i Luftës, me pretekstin se “Baca” njihte shumë mirë gjuhën angleze (pasi kishte mbaruar shkollën amerikane të Fultz-it në Tiranë), për ta mënjanuar, Enver Hoxha e dërgoi Çitakun në Itali, si anëtar I Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate anglo-ameerikane të Mesdheut ne qëndër në Bari, ku ai shërbeu për disa kohë së bashku me Bedri Spahiun, Halim Budon etj.
Divergjencat me Enver Hoxhën
Ndonëse Ramadan Çitaku ishte përjashtuar nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare që në Berat, ai do të vazhdonte të mbante postin e ministrit të Financave, deri në tetor të vitit 1946, kur do të zëvëndësohej nga Kiço Ngjela. Në zgjedhjet parlamentare të 2 dhjetorit 1945, Çitaku, do të zgjidhej si deputet i Elbasanit, si dhe Asambleja Kushtetuese do ta zgjidhte atë si anëtar të Presidiumit të Kuvëndit Popullor. Ndërsa në vitin 1947, ai do të caktohej si ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Republikën Federative të Jugosllavisë që kryesohej nga Marshalli Josif Broz Tito. Një vit para se të shkonte si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd, (në vitin 1946), ‘Baca” do të martohej me komunisten nga Çamëria, Hatixhe Deliu, e cila gjithashtu ishte një nga aktivistet e orëve të para të Lëvizjes Antifashiste. Lidhur me këtë, Hatixhja, kujtonte: “Kur u martuam, na vendosën në një shtëpi, në Rrugën e ‘Elbasanit’ afër shkollës “Kosova” dhe si ministër që ishte Ramadani, na sollën për mobilimin e shtëpisë, disa mobilje të vjetra, që i ishin sekuestruar ish – Drejtorit të Bankës Kombëtare. Por ato ishin të papërshtatshme për ne dhe Ramadani i refuzoi ato, duke u thënë se çdo gjë për familjen e tij, do ta bënte nga kontributi i tij personal”. Si ambasador në Beograd, ai do të zëvëndësonte, Tuk Jakovën, por Çitaku nuk do të qëndronte më tepër se disa muaj në këtë post, pasi në vitin 1948, marrdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit, do të prisheshin. Lidhur me këtë, Hatixheja kujtonte: “Për aq kohë sa ndenjëm aty në selinë e ambasadës shqiptare në Beograd, ne të dy ishim nën survejimin e rreptë të UDB-së. Telefoni ynë binte në çdo çast dhe sapo ata dëgjonin zërin e tij, e mbyllnin. Kjo gjë ndodhte për t’u siguruar që “Baca” ishte aty. Kur u kthyem në Tiranë, Enver Hoxha e thirri Ramadanin në Ministrinë e Jashtme dhe e pyeti se ku ndodhej Tito. Ai i’u përgjigj se nuk dinte gjë, por nga shtypi jugosllav, deklarohej se Tito, po pushonte në rezidencën e tij në liqenin e Bledit në Slloveni. Pas këtyre fjalëve, Enveri, u nxeh keq me Ramadanin, duke i thënë se: ‘çfarë ke bërë ti atje, kur nuk e di se ku ndodhet Tito’?! Ai i’u përgjigj, duke i thënë se: ‘nuk ishte detyra e tij që të kontrollonte lëvizjet e Titos’. Kjo gjë erdhi pasi ne ishim prishur me jugosllavët dhe Ramadani nuk dinte gjë për këtë punë, pasi nuk e kishte njoftuar njeri zrtarisht. Pas kësaj bisede të acaruar, Enver Hoxha, i kërkoi Ramadanit që t’i përgatiste me shkrim, të gjithë aktivitetin e tij si ambasador dhe takimet që kishte bërë me Titon e udhëheqësit e tjerë jugosllavë. “Baca”, do të shtangej nga kjo gjë dhe i kërkoi Hoxhës, arsyen se përse do duhet ta bënte këtë gj?! Enveri i’u përgjigj, duke i thënë se: ‘kjo do të shërbente si dëshmi e qartë, se Tito ka tradhëtuar PKSH-në dhe udhëheqjen kryesore të saj’. Por Ramadani, më kot u përpoq që t’ja sqaronte Hoxhës arsyet se përse Tito kishte tradhëtuar Moskën dhe jo Tiranën. Edhe pas kësaj, Enver Hoxha, nuk i dha sqarime, por e këshilloi që të mbaronte këtë material dhe të vendosej me banim tek hotel “Dajti”. Pas kësaj, duke menduar se Ramadani ishte njeri i jugosllavëve, e spostoi nga të gjitha postet drejtuese që ai kishte në Partinë Komuniste Shqiptare dhe e caktoi atë, si nënpunës të thjeshtë në Ministrinë e Financave. Pas këtij posti, Ramadan Çitaku, caktohet Drejtor i Përgjithshëm i Arkës së Kursimeve dhe gjatë gjithë asaj kohe që shërbeu në atë funksion, ai ishte nën survejimin e rreptë të organeve të Sigurimit të Shtetit!
Periudha më e vështirë e “Bacës”!?
Pas përjashtimit të tij nga partia, për Ramadan Çitakun do të fillonte një periudhë e vështirë. Përveç postit të drejtorit të Arkës së Kursimeve, atij i’u mohua e drejta për të qenë në forumet e larta drejtuese të PKSH-së, ku kishte milituar që nga themelimi i saj në nëntor të 1941-it. Atij si fillim, i’u ndalua çdo korespondencë me familjen e tij në Kosovë, por pas ardhjes së Mehmet Shehut në krye të Ministrisë së Brëndshme, ky i fundit i kërkoi që Çitaku t’i shkruante një letër familjes së tij që ndodhej në Mitrovicë. Nuk dihet se përse i’a kërkoi Shehu atë gjë personalisht “Bacës”, por sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij Hatixhes, kjo që mund të jetë bërë për të testuar pulsin e Çitakut. Në atë letër, ai do t’i kërkonte familjes së tij, që të ngriheshin publikisht kundër regjimit të Titos. Kur kjo letër ra në dorë të tyre, babai i Ramadanit, Hasani, pasi e lexoi në prani të të gjithë familjes, e kishte grisur atë, duke i’u thënë atyre: “Ramadani të shikoje hallet e tij në Tiranë, se hallet tona këtu i dimë vetë ne”. (Këtë ngjarje, Ramadani mundi ta mësonte nga vëllai i tij, kur ky i fundit erdhi në Tiranë në vitin 1981). Ndërkohë, dy afërm të tij që kishin marrë po atë letër, ishin arrestuar nga UDB-ja dhe ishin burgosur. Ndërkohë në vitin 1952, me urdhër të Kadri Hazbiut, në shtëpinë e Çitakut do të shkonte Qerim Uka, i cili do t’i thoshte atij: “Bacë Ramadani, pas disa ditësh do të arratisen një grup shqiptarësh për në Jugosllavi dhe ata do t’i kryesojë Rrok Cupreli. Përse nuk shkon dhe ti me ta”?! Çitaku e kishte kuptuar provokimin dhe e kundërshtoi vendosmërisht atë gjë. Atëherë, Uka i’u drejtua Ramadanit, duke i thënë: “Po përse je prishur me qeverinë, ti Bacë”?! Ky mesazh ishte i qartë për të. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij, Enver Hoxha, donte ta sakrifikonte si ‘karrem’ Ramadan Çitakun, duke i stisur një arratisje, për të goditur përfundimisht më pas figurën e tij, duke e akuzuar atë, se ai ishte në shërbim të Jugosllavisë. Në atë periudhë, Ramadani, kishte sinjalizime nga njerëz që arratiseshin nga Kosova për në Shqipëri, të cilët deklaronin se shtypi zyrtar jugosllav, thoshte se: “Ramadan Çitaku, ish – eksponent i lartë i Partisë Komuniste Shqiptare, ish – ministër në qeverinë e parë të Enver Hoxhës dhe ish – ambasador i Shqipërisë në Beograd, keqtrajtohet nga regjimi i komunist i Enver Hoxhës, saqë detyrohet që të shesi kikirikë tek kinema “Partizani”, në Tiranë, për të siguruar jetesën”. Pas një periudhe survejimi, prej katër vitesh, Ramadan Çitaku, në fund thirret në zyrë nga Enver Hoxha, i cili i deklaron: “Bacë, jemi detyruar për të të vëzhguar rreptësisht prej katër vitesh, por ti ke qenë një bolshevik i vërtetë dhe si i tillë do ngelesh gjithnjë”. Pas kësaj deklarate, Çitaku, u ripranua në Partinë e Punës dhe do të punonte si drejtor i Arkës së Kursimit, për vite me rradhë, duke u konsideruar si “viktimë e Koci Xoxes”!
I kërkon Enverit të dilte jashtë për kurim, por s’merr përgjigje!
Që nga viti 1952, kur Çitaku u ripranua në Partinë e Punës, ai do të vazhdonte punën si drejtor i Arkës së Kursimit, deri në vitin 1974, kur doli në pension dhe gjatë gjithë asaj periudhe kohe të gjatë, ai jo vetëm që nuk morri kurrë pjesë në asnjë aktivitet zyrtar përkujtimor të ngjarjeve të Luftës, pasi nuk u ftua kurrë, por nuk dilte kurrë as nga shtëpia, përveçse kur shkonte në punë dhe anasjelltas. Kështu ai mbeti i harruar dhe plotësisht i mënjanuar, nga ish shokët e tij të Luftës, ku shumë prej tyre madje as e dinin nëse ai jetonte akoma. Në vitin 1960, Çitaku sëmuret rëndë nga stomaku dhe doktor Paparisto e këshilloi që duhet të operohej urgjent në një klinikë të specializuar. Pas kësaj, duke parë gjëndjen e tij tepër të rënduar, ai i shkroi një letër Enver Hoxhës, ku i kërkonte që të shkonte jashtë shtetit, për t’u bërë operim, pasi në atë kohë mjekësia shqiptare, sipas këshillës së Dr. Paparistos, nuk mund ta kryente atë ndërhyrje kirurgjikale. Por nga udhëheqësi komunist shqiptar, Çitaku, nuk do të merrte asnjë përgjigje! Në verën e vitit 1961, Enver Hoxha, rastësisht takon Ramadanin në Kampin e Pushimit të Puntorëve në Pogradec ku ai kishte shkuar për një vizitë dhe sapo u ndesh ballë për ballë me “Bacën”, e pyeti se si ishte me stomakun, gjë e cila tregonte se ai e kishte marrë letrën që Çitaku i’a kishte dërguar kohë më parë, ku i kërkonte që ta nxirrni jashtë për ta kuruar. Pas këtij takimi të shkurtër, “Baca” nuk pati më rast që të takohej me Enverin, ndonëse ai “hiqte të zitë e ullirit” qoftë edhe për të marrë një fletë-kampi për të pushuar në Pogradec në Kampin e Punëtorëve.
I abandonuar dhe i harruar deri në vdekje, në prillin e ’90-ës
Aty nga viti 1981, pasi Enver Hoxha kishte botuar librin “Kur lindi Partia”, dhe ishte i detyruar që të përmendte gjerësisht kontributin e Ramadan Çitakut në periudhën e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, ai u detyrua gjithashtu që ta thërriste “Bacën” si të ftuar për të marrë pjesë në Kongresin e VII-të të PPSH-së. Pas kësaj ftese, vetëm Haxhi Lleshi e morri në telefon dhe e thirri disa herë për vizitë në vilën e tij ku banonte jashtë “Bllokut’, gjë e cila nuk u pasua nga asnjë prej “shokëve të udhëheqjes” që banonin në ‘Bllok’! “Baca” edhe pse e ndjente se ishte mënjanuar dhe braktisur me patëdrejtë nga ish-shokët e tij të armëve dhe të idealit, nuk e jepte veten kurrë, duke u ruajtur edhe nga shumë provokatorë që i shkonin edhe në shtëpi. Më 9 prill të vitit 1990, kur u njoftua zyrtarisht me pakë rradhë një nekrologji e shkurtër në ‘Zëri i Popullit’ ku njoftohej vdekja e Ramadan Çitakut, shumëkush që do të lexonte ato pak rreshta, ka mbetur i habitur, se si për atë njeri që ishte shkruar aq shumë, sidomos nga Enver Hoxha në librat e tij të fundit (‘Kur lindi Partia’, ‘Kur hidheshin themelet’ etj.), kishte qenë i gjallë deri në atë kohë!?
Nexhmije s’pranon ta ndihmojë, kur “Baca”, ishte në prag të vdekjes!
Pak kohë para se Ramadan Çitaku të ndahej nga jeta, bashkëshortja e tij, Hatixheja, i kërkoi Nexhmije Hoxhës (ish-shoqes së saj të Luftës), që ta ndihmonte, duke shikuar mundësinë e kurimit të “Bacës” në ndonjë klinikë jashtë vëndit, por nuk morri kurrë ndonjë përgjigje nga ajo! Kur Sokoli, (djali i dytë i Enverit dhe Nexhmijes) që punonte me të birin e “Bacës” te Posta Shqiptare, shkoi për ngushëllim në familjen Çitaku, me shumë sinqeritet dhe dashamirësi, madje si i zënë në faj, u tha atyre: “Unë i’a kisha thënë Nexhmijes kërkesën tuaj për “Bacën” që të kurohej jashtë dhe përgjegjësinë le ta mbaj ajo”! Mbas dy tre ditësh, Nexhmije Hoxha u detyrua që të shkonte vetë për ngushëllim te familja Çitaku dhe gjatë atyre pak minutave që ndenji aty, u tha atyre: “Është e vërtetë që im bir, Sokoli, ma tha kërkesën tuaj për “Bacën”, që ta kuronim jashtë, por nga punët e shumta dhe ngarkesa e madhe që kisha me përzgjedhjen e disa kujtimeve të shokut Enver që m’i kërkonin urgjent shokët e Partisë, unë harrova. Ne ngandonjëherë i lëmë kështu këto punë dhe detyrohemi e vimë vetëm kur vdesin njerëzit”, u tha ajo si e zënë në faj, familjarëve të “Bacës”, ish-shokut të saj të armëve që nga Konferenca e Pezës, kur e kishte takuar për herë të parë! /Memorie.al/