Një vajzë e re ukrainase njofton se Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, e ka kapluar frika.
“Të gjithë jemi futur në metro. Na kanë udhëzuar të fshihemi këtu. Nëntokë jemi më të sigurtë. Jam bashkë me familjen këtu.” – thotë ekskluzivisht për Lapsi.al e reja ukrainase, me zërin që i dridhet nga frika.
Në dëshminë që jep ajo për Lapsin, thekson se ushtria ukrainase ka zbarkuar në Kiev, ndërsa gjithçka pritet nga Rusia ditën e sotme.
“I gjithë qyteti është mbushur me tanke. Sirenat kumbojnë në qytet” – thotë burimi. Ndërkohë, sipas detajeve që jep vajza, metroja e paralizuar gumëzhin nga murmuritjet e kryeqytetasve të shqetësuar.
Orët e para të mëngjesit të sotëm Rusia nisi një ofensivë ushtarake nga toka, deti dhe ajri drejt Ukrainës. Deri tani raportohet për mbi 40 jetë ushtarësh të humbura dhe dhjetëra civilë të vdekur dhe të plagosur. Tanket ruse, sipas raportimeve, vazhdojnë avancimin në territorin ukrainas, ndërsa raketat ruse kanë goditur shumë baza ushtarake dhe rojet kufitare të vendit.