Përpjekja e Britanisë për t’u bërë vendi i parë evropian që nis një satelit në hapësirë rezultoi një dështim kur Virgin Orbit tha se raketa e saj pësoi një anomali që e pengoi atë të arrinte në orbitë.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.
Misioni “nisja horizontale” u ngrit nga qyteti bregdetar i Newquay-it në Anglinë jugperëndimore dhe raketa e Virgin’s LauncherOne u mbajt nën krahun e një Boeing 747 të modifikuar të quajtur Cosmic Girl dhe më vonë u lëshua mbi Oqeanin Atlantik.
“Duket se kemi hasur në një anomali që na pengoi të arrijmë në orbitë. Ne jemi duke e vlerësuar informacionin”, tha kompania.
Pengesa i jep një goditje tjetër ambicieve hapësinore të Evropës pasi mjeti lëshues Vega-C i Italisë dështoi gjithashtu pas ngritjes nga Guiana Franceze në fund të dhjetorit.
Evropa ka pësuar një sërë pengesash gjatë vitit të kaluar: lëshimi i mjetit të saj kryesor lëshues Ariane 6 është vonuar, qasja në raketat ruse Soyuz është bllokuar për shkak të luftës në Ukrainë, lëshimi i raketës Vega është ndalur, dhe tani një nisje demonstruese për industrinë në rritje të automjeteve të vogla lëshuese është anuluar.
Virgin Orbit fillimisht raportoi në Twitter se LauncherOne kishte arritur në orbitën e Tokës, por më vonë e fshiu postimin në Twitter.
“Do të ketë një hetim gjatë ditëve në vijim nga qeveria dhe organe të ndryshme, duke përfshirë Virgin Orbit”, tha Matt Archer, drejtor i hapësirës tregtare në Agjencinë Britanike të Hapësirës.
Virgin Orbit, në pronësi të miliarderit britanik Richard Branson, planifikoi të vendoste nëntë satelitë të vegjël në orbitën e ulët të Tokës në misionin e parë jashtë bazës së saj amerikane.
Misioni u cilësua si i pari historik për Cornwall-in, Britaninë dhe Evropën, dhe mijëra entuziastë që shikonin pistën e brohoritën ndërsa Cosmic Girl u ngrit.
Pasi u njoftua për dështimin, turma u shpërnda me shpejtësi dhe në heshtje.
Dështimi i misionit ishte i dyti në historinë e Virgin Orbit që nga nisja e tij e parë në vitin 2020.
Para kësaj, kompania kreu katër misione të suksesshme.
Archer, i Agjencisë Britanike të Hapësirës, tha se faza e parë u ndez dhe dërgoi raketën në hapësirë, por faza e dytë kishte një “anomali teknike dhe nuk arriti orbitën e kërkuar”.
Një ekran grafik në ngarkimin zyrtar të videos tregoi se misioni ishte fikur në motorin e tij të dytë, tre hapa përpara vendosjes së ngarkesës, rreth dy orë pas ngritjes.
Nuk ishte menjëherë e qartë se si dështimi, i cili do të duhet të hetohet, do të ndikonte në kohën ose vendndodhjen e misioneve të ardhshme.
CEO i Virgin Orbit, Dan Hart, u tha gazetarëve të dielën se kompania shpreson të kthehet në Newquay deri në fund të vitit 2023.
Britania thotë se është prodhuesi kryesor jo amerikan i satelitëve, duke punësuar 47 mijë njerëz në industrinë e saj hapësinore.
Agjencia Hapësinore e Mbretërisë së Bashkuar e quajti misionin Cornwall një moment krenarie kombëtare për industrinë hapësinore në rritje të Britanisë, dhe Sekretari i Shkencës në Mbretërinë e Bashkuar George Freeman tha në portin kozmik se ishte një “moment historik”.