Me 56 vota pro, 53 kundër dhe 4 abstenime i mandatari i dytë nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër Glauk Konjufca nuk arriti të krijojë qeverinë e re të Kosovës. Më herët, ndërsa kërkoi votën e deputetëve ai u shpreh se do të ishte arrogancë nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje, duke theksuar se pa një qeveri të re kriza në Kosovë do të thellohet.
“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhje të tjera. Do të ishte arrogancë ta çojmë vendin në zgjedhje sërish. Nëse i mbajnë më dhjetor, kush na garanton që nuk shkojmë edhe në mars. … Dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë, e dyta përpjekja në Kryesinë e Kuvendit dhe e treta është kjo e fundit ku ndodhemi tani” , u shpreh Konjufca.
Deputeti Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, duke konfirmuar votën kundër për qeverinë “Konjufca”, u shpreh se seanca është farsë.
“Kjo seancë është farsë.. PDK votë kundër, VV do të fajësojë partitë e tjera”, tha Ismaili.
Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku akuzoi kryeministrin në detyrë Kurti se po bllokon vendin, ndërsa e krahasoi atë me Don Kishotin duke thënë se qeverisja e tij po zhvillohet në një realitet paralel.
“Ai që do të zgjidhë krizën nuk i shpenzon 15 ditë kot për të ardhur në rezultatin e njëjtë. … shfaqje teatrale … një njeri që bllokon vendin për 10 muajsh rresht për një karrige, sa e padinjitetshme”, tha Abdixhiku.
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, që ka paralajmëruar votë kundër qeverisë “Konjufca” i drejtoi një pyetje të mandatuarit të dytë nga Vetëvendosja.
“A i keni bërë llogaritë nëse i keni 61 vota?”, tha Haradinaj.
Më herët, Kuvendi i Kosovës u mblodh për të diskutuar krijimin e komisioneve që do t’i hapnin rrugë shqyrtimit të buxhetit 2026. Seanca u la e hapur nga kryeparlamentari Dimal Bashaq me arsyetimin se pret që të ketë ndryshim të qëndrimeve të partive politike. Gjatë asaj seance, kryeministri në detyrë Kurti se nëse marrëveshjet ndërkombëtare nuk votohen, vendi do të humbë mbi 200 milionë euro, fonde nga plani i rritjes së BE-së dhe Bankës Botërore.




